Gjuriq me Dautin: Serbia e përkushtuar për përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë, është takuar me ministrin shtetëror për Evropën, Amerikën e Veriut dhe territoret përtej detit të Mbretërisë së Bashkuar, Stiven Dauti.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Gjuriq me bashkëbiseduesin ka diskutuar një sërë çështjesh aktuale gjeopolitike, si dhe situatën politike dhe të sigurisë në rajon.
Gjuriq theksoi se Serbia është e përkushtuar për të përmirësuar marrëdhëniet e përgjithshme dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, mbi bazën e marrëdhënieve tradicionalisht të mira midis dy vendeve dhe popujve të tyre.
Gjuriq iu referua edhe vizitës së fundit të shefit të diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, David Lami, në Serbi, gjatë së cilës u ra dakord që të zgjerohen konsultimet politike ekzistuese dypalëshe me tema shtesë që do të përbënin një dialog strategjik.
“Lidhur me këtë, shefi i diplomacisë serbe theksoi se vitet e fundit bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Mbretërisë së Bashkuar është duke u zhvilluar në mënyrë dinamike, gjë që i jep një shtysë shtesë forcimit të lidhjeve mes dy vendeve”, thuhet në njoftim.
0 komentet