Gjuriq me Hrda: Çekia është partnere e besueshme, presim që të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për deeskalim dhe ruajtjen e paqes
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka zhvilluar sot një takim me të dërguarën speciale të Çekisë për Ballkanin Perëndimor, Edita Hrda, ku u diskutua për situatën në rajon, procesin e integrimeve evropiane të Serbisë, si dhe për çështjet kyçe me interes të përbashkët.
Gjuriq e informoi bashkëbiseduesen për pozitën e popullatës serbe dhe jo-shqiptare në Kosovë, duke theksuar pasojat e veprimeve të njëanshme të Prishtinës, të cilat, sipas tij, çojnë në përshkallëzimin e tensioneve në terren.
Në këtë kontekst, ai shprehu pritjen që Çekia, si një partnere e besueshme brenda Bashkimit Evropian, do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e drejtuara kah deeskalimi dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
Ministri Gjuriq theksoi se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Çekisë karakterizohen nga partneritet i fortë dhe respekt i ndërsjellë.
Kreu i diplomacisë serbe falënderoi Çekinë për mbështetjen që i ka dhënë Serbisë në procesin e integrimeve evropiane dhe përsëriti se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi strategjik i Serbisë dhe “mekanizmi më efikas për përmirësimin e institucioneve, sundimit të ligjit dhe standardit të jetesës së qytetarëve”.
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, ministri theksoi rëndësinë e iniciativave rajonale në të cilat Serbia merr pjesë aktive me qëllim përmirësimin e lidhjeve ekonomike, lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si dhe forcimin e stabilitetit në rajon. Ai theksoi se këto procese janë plotësuese me integrimet evropiane dhe kontribuojnë në përgatitjen e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE.
Ministri Gjuriq theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në Bosnje dhe Hercegovinë, duke nënvizuar se Serbia, si nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit dhe si shtet fqinj, ka një përgjegjësi dhe interes të veçantë që Bosnja dhe Hercegovina të mbetet stabile dhe funksionale.
Gjuriq theksoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Republikës Çeke si një partner i rëndësishëm ekonomik dhe investitor në Republikën e Serbisë, dhe shprehu bindjen se investimet çeke do të zgjerojnë më tej praninë e tyre në sektorë të ndryshëm, duke forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe ekonomike. Në këtë kontekst, ai e ftoi Çekinë të marrë pjesë aktive në Ekspozitën e Specializuar “Expo 2027”, si një mundësi për lidhje të mëtejshme dhe promovim të potencialit për bashkëpunim.






0 komentet