Gjuriq me Powell: Prishtina e papërgatitur të përmbushë detyrimet nga marrëveshjet e arritura

1
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, u takua sot me këshilltarin për siguri kombëtare të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Jonathan Powell, me të cilin bisedoi për situatën në Kosovë, Procesin e Berlinit dhe marrëdhëniet bilaterale.

Duke folur për situatën në Kosovë, Gjuriq e informoi mysafirin për represionin e vazhdueshëm fizik dhe juridik ndaj popullit serb në Kosovë dhe për mungesën e gatishmërisë së Prishtinës për të dëgjuar palën tjetër në dialog dhe për të përmbushur detyrimet nga marrëveshjet e deritanishme, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Ministri rikujtoi rëndësinë që Serbia i kushton lidhjeve historike ndërmjet popullit serb dhe britanik dhe theksoi se Serbia synon thellimin e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar.

Duke shprehur kënaqësinë për intensifikimin e dialogut politik mes dy vendeve gjatë periudhës së kaluar në kontekstin e forcimit të marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale, shefi i diplomacisë serbe shprehu shpresën se në periudhën e ardhshme do të vijë deri te konkretizimi i interesit të ndërsjellë për zhvillimin e një dialogu strategjik.

Ai u ndal edhe te kryesimi britanik i procesit të Berlinit këtë vit dhe përcolli përshtypjet nga takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Belfast, ku u shqyrtuan tema aktuale me rëndësi rajonale.

Në një postim në rrjetin social “X”, Gjuriq shkroi se kishte pasur një bisedë konstruktive me Powell.

“Bisedë konstruktive me Jonathan Powell, këshilltarin për siguri kombëtare të kryeministrit Keir Starmer, lidhur me gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, lidhjet historike mes popujve tanë dhe perspektivat e bashkëpunimit të ardhshëm.”

Ai theksoi se vazhdimi i dialogut është një sinjal pozitiv për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Është një sinjal pozitiv që dialogu ynë politik vazhdon të intensifikohet, dhe Serbia mbetet plotësisht e hapur për nisjen e mekanizmave të rinj të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, zgjerimin e partneritetit tonë në fusha me interes të përbashkët dhe avancimin e projekteve konkrete në tregti dhe investime, teknologji të reja, siguri, energjetikë dhe shkëmbime ndërnjerëzore,” shtoi ministri Gjuriq në postim.