Gjuriq: KdheM çështje kombëtare kyçe e Serbisë, jemi të kënaqur me ndryshimin e qasjes së Amerikës ndaj regjimit të Kurtit
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se Kosova dhe Metohia janë çështje kombëtare thelbësore për Serbinë, sepse përfaqësojnë thelbin e identitetit të saj, dhe jo thjesht një pjesë të territorit. Ai theksoi gjithashtu se është i kënaqur me faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar qasjen e tyre ndaj regjimit të Albin Kurtit.
Në emisionin “Dan na dan” në TS Media, Gjuriq paralajmëroi vazhdimin e mbështetjes për serbët në Kosovë.
“KdheM janë çështja jonë kombëtare kryesore, që për ne nuk është vetëm 13 për qind e territorit shtetëror. Për ne, KdheM nuk është thjesht një copë toke. Ajo për ne jep përgjigje për pyetjen më të rëndësishme për çdo bashkësi njerëzore, kush jemi ne, sepse atje ndodhet selia e Kishës Ortodokse Serbe, pra patriarkana e Pejës. Në Mesjetë, në KdheM kanë jetuar dhe janë varrosur mbretërit dhe perandorët tanë. Edhe sot kemi dhjetë komuna me shumicë serbe dhe shumë vendbanime ku jetojnë serbë. Kërkuam mirëkuptim për pozitën e serbëve, e cila ka qenë katastrofale tri vitet e fundit, dhe si rezultat i këtyre bisedimeve mund të them se jam i kënaqur që SHBA ka ndryshuar qasjen ndaj regjimit të Kurtit,” tha Gjuriq.
Duke komentuar Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë në rrugën evropiane, Gjuriq theksoi se Serbia ka arritur përparim të rëndësishëm në reformat që janë kritere për anëtarësim në BE.
“Kushdo që dëshiron të jetë objektiv, mund dhe duhet të shohë se mesazhi kryesor i raportit të djeshëm është se Serbia është e gatshme për hapjen e Klastrit 3. Ky është përfundimi i raportit të Komisionit Evropian. Raporti flet qartë se Serbia ka përparuar në shumë fusha, dhe jo vetëm që ka përparuar, por se duhet të hapet Klasteri 3 dhe të ecet përpara edhe formalisht. Serbia ka bërë përparim të dukshëm në reformat, përfshirë ato që lidhen me REM-in dhe Ligjin për regjistrin unik zgjedhor, si dhe reformat gjithëpërfshirëse në drejtësi,” theksoi Gjuriq.
Ai shtoi se anëtarësimi i Serbisë në BE është edhe në interes të vetë Evropës, pasi Serbia ndodhet në qendër të Evropës Juglindore dhe ka mbi 6.5 milionë banorë me potencial të madh në shumë fusha.
“Evropa nuk mund të jetë e plotë pa Serbinë dhe pa rajonin,” vlerësoi Gjuriq.
Ministri përmendi gjithashtu se kohët e fundit mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Irlandën e Veriut, ku u diskutua për përparimin e të gjithë rajonit drejt BE-së.
“Është e paimagjinueshme që një rajon, ku Serbia përfaqëson 53 për qind të PBB-së totale, të ecë përpara në rrugën evropiane pa Serbinë. Serbia është gjithashtu vendi që zhvillohet ekonomikisht më shpejt, dhe këtë e dëshmojnë të gjitha të dhënat – jo tonat, por të Eurostat-it, FMN-së dhe Bankës Botërore. Mund të pajtoheni ose jo me kursin tonë të pavarur të politikës së jashtme dhe me politikën tonë multivektoriale, që ruan ekuilibër me të gjithë aktorët globalë, por askush nuk mund të mohojë se Serbia, duke krijuar një zonë të tregtisë së lirë me BE-në, bllokun ekonomik euroaziatik, Kinën, Emiratet, Egjiptin dhe Turqinë, ka ndërtuar një qendër të jashtëzakonshme investimesh dhe ka fituar pozitën e parë në rajon,” tha Gjuriq.
Ai u bëri apel pjesës së opinionit politik në Serbi që të ndalojë shtrembërimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Brukselit
“Në fund të fundit, shikoni dinamikën e vizitave të zyrtarëve më të lartë të BE-së në Serbi. Pra, znj. Ursula fon der Lajen është këtu. Dje patëm takimin midis presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Këshillit Evropian Antonio Koshta në Bruksel, ku presidenti Vuçiq mori pjesë në një sërë aktivitetesh me zyrtarë të lartë të BE-së. Edhe kjo, megjithatë, po përpiqet të paraqitet si një lloj izolimi ndërkombëtar. Është paradoksale ajo që po ndodh. Për një vend të madhësisë sonë, të forcës sonë ekonomike dhe të numrit tonë të banorëve, ne kemi në mënyrë joproporcionale një numër shumë të madh vizitorësh të huaj dhe kontakte me zyrtarët më të lartë evropianë,” tha Gjuriq.
Shefi i diplomacisë serbe theksoi se teknologjitë e reja po ndikojnë fuqishëm në ekonomi dhe shoqëri, dhe se inteligjenca artificiale do të ndryshojë plotësisht tregun e punës dhe mënyrën se si zhvillohen shumë veprimtari ekonomike.
“Kjo është një mundësi që, me zhvillimin e duhur dhe fokusin e drejtë të shoqërisë në këto segmente, të kompensojmë hendekun ndaj vendeve të Perëndimit dhe Evropës. Ne tashmë kemi arritur që 15 për qind e PBB-së sonë të vijë nga industria e IT-së dhe e softuerit. Eksportojmë miliarda euro çdo vit nga IT-ja dhe softuerët. Dhe ajo që është përparësi e kësaj teknologjie të re është fakti se nuk varem nga rrugët e zakonshme tregtare dhe transportuese,” shpjegon Gjuriq.
Duke folur për partneritetin strategjik midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjuriq tha se në gusht u takua me sekretarin amerikan të shtetit Mark Rubio, dhe më pas edhe një herë bashkë me presidentin Vuçiq.
“Ia tregova Rubios disa dokumente me grafikë që tregonin se presidenti Trump është politikani më popullor në të gjithë Evropën pikërisht në Serbi. Ne thjesht duam të ndërtojmë një marrëdhënie të re dhe më të mirë me administratën e re, sepse e dimë sa e rëndësishme është kjo dhe njohim faktin që ndajmë disa vlera të përbashkëta që kanë të bëjnë me kristianizmin, familjen dhe traditën. Kur Rubio i pa këto grafikonë dhe tabela, ai u emocionua. I mori ato dokumente nga unë dhe tha se do t’ia tregonte Trumpit. Pas kësaj, një tjetër zyrtar i lartë amerikan më njoftoi se presidenti amerikan ishte vërtet i impresionuar me informacionet për mbështetjen që gëzon në Serbi,” tregoi Gjuriq.
Ai shtoi se, edhe pse ajo ishte një anekdotë, ajo shumë qartë ilustron potencialin që ekziston aktualisht për të ndërtuar një marrëdhënie të re.
“Ne po punojmë shumë intensivisht për të zhvilluar me administratën e re një nivel të ri besimi, bashkëpunimi dhe dialogu strategjik. Besoj se në partneritet me bashkatdhetarët tanë në SHBA mund të krijojmë një bazë të fortë serbe,” tha shefi i diplomacisë serbe.
Ministri vuri në dukje se në politikën serbe ka persona që kundërshtojnë investimet amerikane apo disa projekte të caktuara.
“Siç kemi parë, një nga këto projekte është projekti për rindërtimin dhe ndërtimin e objekteve të reja në vendin e ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, që parashikon jo vetëm ndërtimin e ndërtesave të reja dhe restaurimin e disa ekzistueseve, por edhe krijimin e një muzeu kushtuar viktimave të agresionit të NATO-s, i cili do të financohej nga investitorë amerikanë. Pra, ata janë kundër kësaj, edhe pse ato objekte u shkatërruan në vitin 1999,” tha Gjuriq.
Ai shtoi se shumë nga ish-anëtarët e administratës së Trumpit e kuptojnë dhe e pranojnë se janë bërë gabime në qëndrimin ndaj Serbisë dhe serbëve.
“Në vend që ta shfrytëzojmë këtë mundësi që po na ofrohet, disa njerëz po përpiqen që t’u ‘shpojnë sytë’ këtyre njerëzve të rinj që po vijnë, vetëm për të penguar ndërtimin e marrëdhënieve të mira midis qeverisë sonë dhe SHBA-ve. Kjo është çështje e interesit kombëtar të Serbisë,” theksoi Gjuriq.
Në pyetjen se si shihet Serbia në botë, Gjuriq tha se imazhi i vendit ka filluar të përmirësohet ndjeshëm vitet e fundit falë treguesve ekonomikë, sportistëve dhe diasporës serbe.
“Një nga bazat për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë sonë është pa dyshim stabiliteti. Ai, së bashku me marrëdhëniet e mira ndërkombëtare, është shenja jonë dalluese,” tha Gjuriq.
Ai kujtoi se Serbia ka 103 përfaqësi diplomatike-konsullore në mbarë botën dhe se qëllimi është që ambasadat dhe konsullatat të jenë plotësisht funksionale dhe aktive në afirmimin e pozicionit ndërkombëtar të Serbisë.
“Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet tona kadrovike, do të hapim ambasada të reja në disa vende. Serbia është një vend me mundësi dhe potencial të madh, dhe me organizim të mirë mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme.
Në 10 vitet e fundit kemi më shumë se dyfishuar PBB-në, dhe në periudhën që vjen do të kemi rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve. Nëse vazhdojmë të fokusohemi në zhvillimin ekonomik, në vend që të humbasim energjinë në luftëra për pushtet dhe burime të kufizuara, atëherë jam optimist se mund të arrijmë shumë,” tha ministri.
0 komentet