Gjuriq: Paraqitëm atë që përjetojnë serbët në Kosovë pa urrejtje dhe zemërim, me dorë të shtrirë bashkëpunimi
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, theksoi pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën se Serbia e shfrytëzoi mundësinë që zëri i saj të dëgjohet dhe, në kohën e një krize globale të paprecedentë, të paraqesë faktet për atë që përjetojnë serbët në Kosovë, pa zemërim dhe urrejtje, duke treguar se është një vend që mbështet të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe paprekshmërinë e kufijve në kushte kur rendi ndërkombëtar po shembet.
Gjuriq u tha gazetarëve se sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së foli jo vetëm si diplomat dhe ministër i punëve të jashtme, por në emër të atyre zëri i të cilëve nuk mund të dëgjohet, në emër të nënave, motrave, djemve dhe vajzave, baballarët e të cilëve janë pas hekurave në Kosovë vetëm pse janë serbë, si dhe në emër të pensionistëve që duhet të kalojnë në mënyrë poshtëruese trajtimin e Albin Kurtit për të marrë pensionet e tyre të merituara, në emër të punonjësve shëndetësorë të cilëve u mohohet e drejta për të zbatuar Betimin e Hipokratit duke trajtuar serbë, shqiptarë dhe të tjerë.
“E shfrytëzuam seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe Metohinë, në kohën e një krize globale të paprecedentë, për të paraqitur faktet mbi atë që përjetojnë serbët në Kosovë dhe Metohi, pa zemërim dhe urrejtje. Treguam qëndrueshmëri si një vend që mbështet të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe paprekshmërinë e kufijve në kushte kur rendi ndërkombëtar po shembet”, tha Gjuriq, duke theksuar se Serbia mbështet punën e UNMIK-ut.
Ai theksoi se, nga ana tjetër, përfaqësuesi i Prishtinës u përpoq të “fshihte gjërat nën qilim” dhe ta paraqiste Prishtinën si një “oazë të demokracisë, përparimit dhe zhvillimit”, ndërsa Serbinë si agresor dhe si qendër destabilizimi të rajonit.
“Por retorika dhe toni që tregoi Glauk Konjufca, më duket se nuk rezonuan tek anëtarët që janë të lodhur nga fakti se ata që me veprime të njëanshme vazhdimisht destabilizojnë situatën përpiqen të paraqiten si diçka krejtësisht tjetër nga ajo që janë”, tha Gjuriq.
Ai theksoi se debati i sotëm ishte një mundësi e shfrytëzuar plotësisht që të dëgjohet zëri i Serbisë dhe të paraqiten faktet para 193 anëtarëve të organizatës botërore.
“Të tregohet se procesi i njohjeve jo vetëm që nuk ka përfunduar, por se 28 shtete kanë tërhequr njohjen në periudhën e fundit dhe të dëshmojmë se Serbia nën administratën e Aleksandar Vuçiq dhe këtë qeveri është një vend i orientuar drejt së ardhmes, dialogut, bashkëpunimit dhe respektit”, tha shefi i diplomacisë serbe.
Ai shtoi se në Nju Jork nuk foli vetëm në emër të serbëve, por edhe në emër të boshnjakëve dhe goranëve, të cilët, sipas tij, janë të ekspozuar ndaj asimilimit dhe presionit në Kosovë, por – përsëriti ai – pa urrejtje, me respekt ndaj popullit shqiptar dhe me dorë të shtrirë bashkëpunimi.
“Në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ajo si vepron Albin Kurti dhe regjimi i tij”, shtoi Gjuriq.
Ai përcolli se paraqitja e tij në Nju Jork është vlerësuar edhe nga përfaqësuesit e SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore, përveç miqve rusë dhe kinezë.
“Më thanë – ‘shumë mirë, mbështetët serbët, të krishterët, por ruajtët një qëndrim të balancuar, pa urrejtje, ndryshe nga përfaqësuesit e Prishtinës’. Dhe kjo është ajo që bën dallimin. Është gjithmonë më e lehtë të përdorësh retorikë të ashpër, por ne jemi të armatosur me fakte, dhe ato janë arma më e fuqishme që në fund gjithmonë fiton”, theksoi Gjuriq.
Ai nënvizoi se e vërteta, e drejta dhe drejtësia janë në anën e Serbisë.
Kujtoi se në vitin 2008 pavarësia e Kosovës u shpall pa referendum, madje as në Kosovë, duke shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, jo gjatë luftës, por dhjetë vite më vonë.
Gjuriq theksoi se integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë nuk është më pak i rëndësishëm se ai i çdo vendi tjetër në botë.
“Ne jemi të orientuar drejt kompromisit, një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, dhe jo drejt imponimit. Prandaj mendoj se nuk është mirë që disa kanë bërë thirrje për njohjen e Kosovës. Ne bëjmë thirrje për dialog, të drejtë ndërkombëtare, respekt dhe kompromis. Por gjithmonë do të jemi të gatshëm t’i mposhtim plotësisht nëse vendosin të merren me fushata njohjesh. Ne kemi nota zyrtare nga 28 vende që kanë tërhequr njohjet dhe kjo është rezultat i pushtetit të Aleksandar Vuçiq, qeverisë dhe paraardhësve të mi”, tha Guriq.
Sa i përket fatit të UNMIK-ut, ai vlerësoi se Franca dhe disa vende të tjera, afrikane dhe aziatike, kanë mbështetur punën e misionit, gjë që është shumë e rëndësishme. Sa i përket qëndrimit të SHBA-së, ai tha se është i njohur dhe nuk është risi, dhe nuk lidhet vetëm me UNMIK-un, por me OKB-në në tërësi.
Megjithatë, ai theksoi se e re në paraqitjen e përfaqësueses së SHBA-së ishte se në debatin për Kosovën ajo deklaroi qartë dhe pa mëdyshje se SHBA e konsideron Serbinë dhe popullin serb si miq.
“Këtë nuk e kemi dëgjuar në këtë mënyrë në debatet e mëparshme. Këto janë nuanca të rëndësishme diplomatike dhe hapa përpara. Do të vazhdojmë të punojmë që me përfaqësuesit e vendeve që kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën të përmirësojmë dialogun. Nuk do të ofendojmë askënd dhe as do të dënojmë, por do të fitojmë miq”, tha Gjuriq.
Ai përsëriti se përfaqësuesi i Prishtinës në fjalimin e tij bëri gjithçka për ta paraqitur Serbinë si një vend tiranik, të kthyer nga e kaluara.
“Ishte interesant momenti kur Konjufca mori pjesë në debatin politik në Serbinë qendrore dhe mbështeti disa grupe opozitare. Kjo mua si qytetar, por edhe si përfaqësues i pushtetit, madje më pëlqen, sepse është mirë të shihet kush kë mbështet. Mendoj se është mirë që Konjufca merr pjesë aktive në jetën politike të vendit të tij, ai ka të drejtë dhe mund edhe të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Njerëzit në Serbi e dinë mirë kush i mbron interesat në mënyrë të matur dhe të balancuar”, tha Gjuriq.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shqyrtoi sot raportin gjashtëmujor për punën e UNMIK-ut, i cili u prezantua për herë të parë nga shefi i ri i këtij misioni, Peter Due. Due theksoi se është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë të ndërtojnë mbi përparimin e arritur dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
0 komentet