Gjuriq: Serbia ka angazhuar dy kompani lobuese në SHBA
Ambasadori i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq, theksoi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuara dy kompani lobuese, të cilat ndihmojnë në lobimin dhe krijimin e një imazhi më të mirë të Serbisë në arenën ndërkombëtare.
Në TV Pink në emisionin “Mëngjesi i ri” Gjuriq ka thënë se Serbia duhet të punojë për të ndryshuar imazhin negativ që është ndërtuar për të me dekada dhe që, siç tha ai, është paguar nga rivalët rajonalë të Srbisë në periudhën paraprake.
“Sot po bëjmë atë që nuk është bërë në dekadat e kaluara dhe po krijojmë parakushtet që Serbia të ketë një themel të fortë në SHBA, në këtë po na ndihmojnë njerëzit e origjinës sonë dhe kisha jonë. Por çelësi për këtë është vizioni që vjen nga Serbia, që është se vendi ynë duhet të riformësojë pozicionin e tij në arenën ndërkombëtare. Ashtu siç kemi filluar ekonominë dhe infrastrukturën në dhjetë vitet e kaluara, po e ndryshojmë dhe forcojmë pozitën e Serbisë në këtë drejtim”, tha Gjuriq.
Ai shtoi se Serbia ka çfarë të ofrojë.
“Mund të mos jetë gjithmonë e lehtë të arrihet një marrëveshje me Serbinë, sepse ne kemi vizionin tonë për botën edhe pse jemi të vegjël, por miqësia e ndërtuar me Serbinë është shumë më e besueshme se miqësia me ata që dinë të flasin vetëm në gjuhën e lajkave, të dëgjuarit dhe të kryerjes së urdhrave. Edhe sot në Uashington, si dhe në adresa të tjera, ka njerëz që e njohin këtë”, deklaroi Gjuriq.
Siç tha ai, pozita e Serbisë në SHBA nuk është e lehtë, por lobi serb punon me shumë sukses.
“Lobi serb në SHBA është duke funksionuar, sigurisht që pozicioni nuk është i lehtë, sepse po nisemi nga një disavantazh i madh, që përfshin edhe faktin se ata e përkrahën krijimin e Kosovës së pavarur 25 vjet më parë. Por sot kemi serbë që janë qytetarë amerikanë dhe që flasin dhe lobojnë me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Jam shumë krenar për këtë. Kam qenë në SHBA për më pak se tre vjet, por me mbështetjen dhe vizionin e presidentit Vuçiq dhe qeverisë, që Serbia të ndërtojë një bazë të fortë në Amerikë, krijuam një ambasadë të re, një Këshill Biznesi, një Konferencë të Diasporës Serbe që mblodhi serbët nga 50 shtete amerikane në Uashington, e cila filloi një lloj të ri lobimi”, ka thënë Gjuriq.
Gjuriq, i pyetur për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se më mirë është që opozita në Kosovë të flasë për të, më saktë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe deputeti i LDK-së Isa Mustafa, duke iu referuar deklaratave të tyre se Kurti përfaqëson interesat ruse në Ballkan, gjë që Gjuriq beson se nuk është kështu, por se Kurti sigurisht që shkakton përshkallëzim në veri të Kosovës.
“Udhëheqësit shqiptarë nuk janë naivë ta thonë këtë, ata e dinë shumë mirë se veprimet e Kurtit dëmtojnë popullin shqiptar. Ashtu siç shkakton vuajtjet e popullatës sonë në veri të Kosovës dhe Metohisë, në afat të mesëm dhe afatgjatë kërcënon edhe synimet e shqiptarëve”, tha Gjuriq.
Ai theksoi se serbët në SHBA veprojnë bashkë me një qëllim - që serbët dhe amerikanët të jenë një urë e fortë ndërmjet dy vendeve.
Ai shtoi se Serbia nuk mund t'i trajtojë sanksionet amerikane të vendosura ndaj kreut të BIA-s, Aleksandar Vullin, veç si akt politik, derisa provat të tregojnë të kundërtën.
komentet