Gjuriq: Sërbia së shpejti me rezidencën e vet në Uashington
Sërbia në Uashington pasmesit të tetorit të vitit të kaluar ka çelur godinën e përhershme të ambasadës e pozicionuar më pak se një milje larg Shtëpisë së Bardhë. Në kryeqytetin e SHBA prej qershorit do të fillojë funksionimi në rezidencën e re, ka bërë të ditur ambasadori Marko Gjuriq duke shtuar se objekti do të jetë me rëndësi të madhe historike për të dy vendet, transmeton RTV.
Ambasadori ka vazhduar se pas rikonstruksionit që po ndërmerret aktualisht, rezidenca sërbe do të shndërrohet në një shtëpi për ngjarje dhe manifestimeve të jashtëzakonshme kulturoro-politike.
"Në qershor këtu në Uashington do të çelim rezidencën sërbe, ku bëhet fjalë për një objekt me rëndësi të madhe historike si për Uashingtonin ashtu edhe për populin sërb pasi në vitin 1942 ka qenë rezidenca e mbretit Petar në egzil", ka thënë Gjuriq për Tanjug duke folur për ambasadën e re në Uashington ku do të akomodohet në një ndërtesë historike të cilën Sërbia e ka blerë më herët duke e shndërruar atë në përfaqësinë e saj të re diplomatiko-konsullore.
Gjuriq ka rikujtuar se ndërtesa e cila tashmë do të jetë rezidenca e ardhshme sërbe, ishte blerë nga ambasadori i parë i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Mbretërisë së Jugosllavisë në Uashington, Konstantin Fotiq, për nevojat e Sërbisë, por prej dekadash ajo ishte në gjendje “të mjerueshme”.
"Ka qenë në gjendje të rënduar dhe tani në qershor, me mbështetjen e institucioneve tona, po përfundojmë një punë të madhe restauruese dhe sërish do të jetë shtëpia sërbe në Uashington, madje edhe me pianon e restauruar të mbretit Petar. Shtëpia sërbe do të shkëlqejë dhe shndërrohet në shtëpinë e ngjarjeve dhe manifestimeve fenomenale jo vetëm në fushën e kulturës dhe krijimtarisë, por edhe politike", ka thënë Gjuriq.
Ky i fundit kujton se vetëm në janar të këtij viti, për sa i përket krijimtarisë kulturore, ambasada organizoi koncert të muzikës sërbe në Qendrën Kenedi dhe në ndërtesën e ambasadës, sfilatën e kostumeve popullore sërbe nga koleksioni i Biljana Regan me më shumë se 200 kostume nga e gjithë Sërbia me një akcent të veçantë nga ato prej K&M, si dhe mbrëmje të shumta letrare dhe punëtori për fëmijë.
"Organizuam ekspozitën e pikturës moderne sërbe, fotografive të trashëgimisë së UNESCO të Sërbisë. Jam krenar që Sërbia po bën përpjekje të mëdha për të ndryshuar për mirë imazhin e vet", ka thënë ambasadori.
Sërbia në Uashington në tetorin e vitit të kaluar çeli ndërtesën e ambasadës së re përmes një ceremonie dhe së bashku me ambasadorin, ka qenë edhe i dërguari special amerikan për Ballkanin Gabriel Eskobar.
Kështuqë është hera e parë qysh prej shpërbërjes së ish Jugosllavisë ku ambasada e Sërbisë bëhet me shtëpi të re në pronësi tërësisht të sajën në rrugën 16 në një ndërtesë historike e cila dikur ka qenë shtëpia e sekretarit amerikan të shtetit në kohën e presidentit Teodor Ruzvelt-Elihju Rut, fitues i çmimit Nobël për paqe në vitin 1913.
0 komentet