Gjuriq: Trump nuk e shikon Serbinë me sy të ngarkuar me paragjykime të viteve 1990
Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq tha sot se zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së është një lajm i mirë, sepse ai e njeh këtë rajon dhe nuk e shikon Serbinë me sy të ngarkuar me paragjykime të viteve 1990. Gjuriq i tha për TV Hepi se ai e uroi Marco Rubio për zgjedhjen e tij si Sekretar i Shtetit të SHBA-së dhe se do t'i dërgonte një letër me synimin për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit, si dhe dëshirën që Serbia të presë Presidentin Trump. Ai bëri të ditur se një zyrtar serb ka planifikuar vizitë dhe takime me zyrtarët amerikanë në Uashington që në shkurt.
Duke komentuar mbështetjen e madhe të serbëve për Donald Trump, Gjuriq tha se kjo tregon se populli serb kujdeset për veten e tij, sepse ata i përkrah ata që besojnë se do të na trajtojnë me më shumë respekt, por gjithashtu tregon se sa "oreks" kanë qytetarët serbë për marrëdhënie cilësore me SHBA-në, bazuar në respekt.
Ai kujtoi se serbët ishin të organizuar mirë për zgjedhjet në SHBA, se kishte disa grupe të serbëve që ishin politikisht aktivë, duke mbledhur donacione dhe se Komiteti i Veprimit Politik Serbo-Amerikan është themeluar së fundmi.
Ai theksoi se padyshim që ka ndikim shuma e parave të investuara në Amerikë për një çështje të caktuar politike, duke u shprehur se, për shembull, lobistët shqiptarë e kanë perfeksionuar lobimin për interesat e tyre për dekada të tëra. Në këtë kuptim, ai deklaroi se Serbia nuk është prioritet i politikës së jashtme amerikane, e veçanërisht jo të brendshme, dhe se nevojiten përpjekje për të nxjerrë në pah “rastin tonë” dhe për të tërhequr vëmendjen e disa politikanëve në SHBA që të merren me Serbinë në një mënyrë konstruktive.
“Për Serbinë dhe rajonin, zgjedhja e Trump është një lajm i mirë, sepse ai e njeh rajonin, madje është i lidhur edhe familjarisht. Ai nuk e shikon rajonin dhe Serbinë me sy të ngarkuar me paragjykime të viteve 1990. Ai e di se çfarë do të thotë të demonizosh, të akuzohesh personalisht dhe të shpallesh fajtor pa faj. Ne kemi investuar shumë përpjekje dhe Serbia, e udhëhequr nga vizioni i presidentit Vuçiq, ka bërë një hap serioz përpara në ndërtimin e infrastrukturës politike në SHBA”, tha Gjuriq, duke shtuar se ai beson fuqishëm në sistemin, të cilin ai vetë e ndërtoi përderisa ai ishte ambasador, në të cilin nuk do të jetë e rëndësishme se kush është në cilën pozitë, por se ekziston një "makinë e vajosur mirë" dhe një rrjet i ndërlidhur i individëve serbë me ndikim në SHBA dhe Serbi që punojnë në të njëjtin drejtim.
Ai shtoi se më shumë se një milion njerëz me origjinë serbe jetojnë në SHBA, ka 137 famulli aktive të Kishës Ortodokse Serbe, komuniteti bashkon intelektualë dhe profesorë universitarë dhe ky, thotë ai, është një potencial i madh.
“Ne vërtet kemi potencial të madh, njerëzit tanë nuk ishin të organizuar apo të frymëzuar për të ndërmarrë veprime politike, por kjo ka ndryshuar. Serbët e shohin dhe po fillojnë ta shfrytëzojnë shansin e tyre”, theksoi ministri.
Ai tha se sot në mëngjes e ka uruar Marco Rubion për zgjedhjen e tij si Sekretar i Shtetit të SHBA-së, duke shtuar se zgjedhja e tij u konfirmua unanimisht në Senat.
“Sot, përveç urimeve publike, po i dërgoj edhe një letër ku shpreh synimin tim për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, forcimin e bashkëpunimit dhe dëshirën për ta pritur atë dhe Presidentin Trump”, tha Gjuriq.
Kur u pyet nëse Trump kishte marrë një ofertë nga Beogradi për të qenë vendi i takimit të tij me Vladimir Putinin, Gjuriq theksoi se një takim midis presidentëve amerikanë dhe rus do të ishte "lajm i madh" për njerëzimin, kudo që të ndodhë, dhe se Beogradi është, nga natyra, një vend për një takim të tillë.
Serbia, theksoi ai, është një vend që ndjek një politikë të jashtme të balancuar, shumë vektoriale, ka marrëdhënie fantastike me vendet jashtë kontinentit të saj, ka akses të hapur në tregun evropian, dëshiron të bëhet anëtare e BE-së deri në fund të dekadës, por ka marrëveshje të tregtisë së lirë si me Kinën ashtu edhe me bllokun euroaziatik, marrëdhënie të mira me vendet afrikane dhe të Amerikës Latine.
“Ne jemi një hapësirë e mirë për të zhvilluar diskutime globale për tema të ndryshme”, theksoi ministri i jashtëm serb.
Ai kujtoi se Serbia tashmë, në mënyrë diskrete, kishte organizuar disa bisedime, të cilat tregonin se kishte kapacitet, por edhe karakter politik, për gjëra të tilla.
“Ne jemi jashtëzakonisht krenarë që Serbia nuk është nën kontrollin politik të asnjë fuqie të huaj”, theksoi Gjuriq.
Ai shtoi se paraqitja e një oferte të tillë ngriti profilin e Serbisë në skenën ndërkombëtare, ndërsa fakti që ajo u raportua nga media të shumta dhe analistë u shprehën pozitivisht për iniciativën, i jep vlerë shtesë Serbisë.
“Si fillim, ne jemi të fokusuar në ndërtimin e një komunikimi të shkëlqyer të drejtpërdrejtë me administratën e re amerikane në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe dhe që përfaqësuesit e administratës së re të vijnë së shpejti në Beograd”, tha Gjurq.
Ai bëri të ditur se "një nga liderët e lartë të Serbisë" ka planifikuar vizitë dhe takime me zyrtarët amerikanë në Uashington që në shkurt, pa specifikuar se për kë bëhet fjalë.
Duke iu referuar nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, Gjuriq tha se kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti nuk ka marrë asnjëherë ftesë për t'u takuar me Trump “vetë-në-një” dhe se ai nuk është takuar me të. Ai ka thënë se Trump Hotin e ka parë vetëm në dhomën e nënshkrimit gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit.
Ai tha se marrëveshja përmban gjëra pozitive për Serbinë që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Serbe, ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave dhe ekonominë, ndryshe nga ato që insistojnë disa administrata të tjera, siç janë çështjet e statusit.
Gjuriq tha gjithashtu se ekipi i Trump përfshinte “negociatorë shumë të ashpër” dhe se oferta fillestare që erdhi në tryezë para delegacionit serb ishte shumë e vështirë dhe e pafavorshme. Presidenti Vuçiq, kujton ministri, ishte i gatshëm të largohej nga negociatat, pavarësisht presionit, derisa të arrihet një tekst i favorshëm për Serbinë.
“Përveç se nuk e priti Hotin si të ashtuquajtur kryeministër të Kosovës në atë kohë, Trump ka iniciuar një takim dypalësh me palën serbe, edhe pse nuk është dashur. Ne patëm një takim të veçantë me Trump, në të cilin ai foli shumë pozitivisht për serbët dhe Serbinë”, tha Gjuriq.
Duke shprehur shpresën se Trump do të vijë në Beograd, Gjuriq vuri në dukje se, duke parë realitetin dhe situatën aktuale në botë, si në Amerikë ashtu edhe në Evropë, është joreale të pritet që kjo të ndodhë kaq shpejt.
Me administratën Trump, beson ai, Serbia duhet të jetë më ambicioze, të tregojë gatishmëri për të luftuar për qëllimet e saj dhe të tregojë se kjo është edhe në interesin amerikan, jo vetëm në atë serb.
"Autoritetet e mëparshme në Serbi nuk arritën të ndërtonin interesat kombëtare serbe si diçka që i përshtatet globalizmit dhe rendit të ri botëror dhe që nuk është në kundërshtim me trendet botërore. Kjo është arsyeja pse ne shpesh e kemi gjetur veten në anën e gabuar," vuri në dukje ministri.
Ai shtoi se marrëdhëniet ndërshtetërore në përgjithësi nuk varen domosdoshmërisht nga afërsia ideologjike e qeverive të vendeve, por në këtë rast, thekson ai, ekziston një afërsi ideologjike mes qeverisë serbe dhe asaj amerikane, nga e cila mund të përfitojnë marrëdhëniet e ndërsjella.
“Infrastruktura e marrëdhënieve tona është ndërtuar, ne kemi dyfishuar grupin serb, kemi krijuar një rezidencë të re, një ambasadë në Uashington, e cila është një vend grumbullimi i elitës së biznesit dhe ekonomik amerikan. U krijua Klubi i Biznesit Serbo-Amerikan. Ne kemi bërë kontrata me kompani lobuese që kanë reputacion, gjë që ndihmon dukshmërinë e Serbisë në përputhje me zakonet dhe ligjet politike amerikane, që të pozicionohemi më mirë në SHBA. Por, në të njëjtën kohë, Serbia është shumë e kujdesshme për të siguruar që politika e saj e jashtme të jetë e balancuar. Kohët e fundit isha për vizitë në Pekin dhe ministri Wang Yi shprehu vlerësimin e tij për pozicionin e Serbisë dhe interesat serbe”, tha Gjuriq.
0 komentet