Gogiq: Beogradi duket si një palë më konstruktive kur bëhet fjalë për propozimin franko-gjerman
Në negociatat për propozimin franko-gjerman, tash për tash Beogradi duket se është palë më konstruktive, sepse e ka pranuar diskutimin për propozimin, ndoshta duke ditur se çfarë qëndrimi do të mbajë Prishtina, ka thënë politologu Ognjen Gogiq për Danas, duke komentuar deklaratën e Albin Kurtit se i ashtuquajturi propozim i BE-së duhet të përmbajë edhe njohje reciproke të Beogradit dhe Prishtinës, sepse kjo është mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Sipas Gogiqit, Kurti ka paralajmëruar se do të dërgojë kërkesa nga ana e tij, sepse formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe nuk është e vetmja marrëveshje e parealizuar.
"Në këtë mënyrë ai mund të pengojë negociatat për të detyruar përfshirjen në marrëveshje të dispozitave që të kujtojnë më shumë njohjen elementare. Duhet të kihet parasysh se negociatat për këtë propozim nuk kanë filluar me vizitat e "katërshes të mëdhenj” në Prishtinë dhe Beograd, por që zgjatën muaj para kësaj. Duket se versioni fillestar i propozimit ka pësuar disa nuanca dhe se tani ai i plotëson pritjet e Beogradit në një masë shumë më të madhe", thekson Gogiq.
Ai shton se propozimi i disponueshëm në media e ngrin në mënyrë efektive çështjen e statusit.
“Paraardhësit e Kurtit mund të kenë qenë të gatshëm të pajtohen me një marrëveshje që do të nënkuptonte të paktën njohjen e nënkuptuar të Kosovës nga Serbia, por Kurti mbajti qëndrimin se vetëm njohja reciproke e qartë është e mundur. Propozimi ekzistues nuk ofron as njërën, as tjetrën”, vëren politologu.
Sipas Gogiqit, Prishtina nuk do ta pranojë vetëm propozimin franko-gjerman, aq më tepër që pritet të plotësohet kushti për formimin e BKS-së.
"Rezultati i kësaj do të ishte që BKS të krijohet në Kosovë dhe që statusi të vazhdojë të fluturojë në ajër. Kjo është e paimagjinueshme për Kurtin”, përfundon Gogiq.
0 komentet