Hoxhaj: Me qasjen e Kurtit ndaj dialogut, nuk pres marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, as njohje reciproke

Enver Hodžaj.jpg
Burim: Kosovo Online

Ish-ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka thënë se me qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj dialogut nuk pret që të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hoxhaj ka thënë në llogarin e tij në  Facebook se Kurti “gjoja po tregohet i fortë para partnerëve perëndimorë dhe thotë se Serbia nuk dëshiron marrëveshje”.

“Vizita e përfaqësuesve të lartë të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë tregon se partnerët strategjikë të Kosovës dëshirojnë që dialogu të hyjë në një fazë të re, me një shpejtësi të ndryshme për të krijuar vrullin për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë! Por, kur dëgjohen qëndrimet e Kurtit në publik, shihet se ai nuk ka asnjë qartësi, vendosmëri, as synime të qarta sa i përket rezultateve në dialog! Ai nuk bëri as një angazhim serioz, as përkushtim të vërtetë për dialog!”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, kjo është një politikë për të blerë kohë dhe është e dëmshme për Kosovën.

“SHBA, Franca, Gjermania, Italia së bashku me BE-në ishin një grup shtetesh që marrin vendime për Kosovën dhe lindja e Kosovës si shtet i pavarur nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Dhe prej tyre varet drejtpërdrejt e ardhmja euroatlantike e Kosovës, si dhe anëtarësimi në organizatat evropiane, Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe më gjerë”, ka theksuar ai.

Hoxhaj shtoi se “marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë të vështira për shkak të histories, por edhe për shkak të politikës armiqësore që Serbia ende e udhëheq ndaj Kosovës”.

“Epo, vetëm në bashkëpunim me partnerët perëndimorë mund ta përfundojmë shtetësinë tonë me anëtarësim në OKB, ku dialogu duhet t'i shërbejë Kosovës dhe jo Serbisë! Pse i duhet Kurtit besimin e qytetarëve, legjitimitetin dhe pozitën e kryeministrit nëse nuk ka guxim, vullnet dhe nuk bën asnjë veprim politik për mbylljen e çështjeve madhore siç është marrëveshja për njohje reciproke me Serbinë?!”, ka thënë Hoxhaj në postimin e tij.