Gogiq: Me licencimin e Bankës së kursimeve postare është e mundur një qarkullim i qëndrueshëm i mjeteve nga Serbia për qytetarët e Kosovës
Politologu Ognjen Gogiq thotë se pas raundit të djeshëm të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel kushtuar zgjidhjes së problemeve të shkaktuara nga dekreti i Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e përdorimit të dinarit, "duket se ka vend për një zgjidhje të ndërmjetme, të paktën në afat të shkurtër." Kjo, beson ai, mund të jetë nëse Banka e kursimeve postare do të licencohej sipas legjislacionit të Kosovës, e cila do të mund të kishte një hyrje të mjeteve në dinarë, ndërsa qytetarët që kishin llogari devizore në dinarë do të paguheshin në euro.
Vetë Rregullorja e BQK-së, shton ai, mundëson që institucionet financiare të licencohen dhe të kryejnë funksionet e tyre në përputhje me atë rregullore.
“Nuk është e paimagjinueshme që Banka e kursimeve postare të licencohet. Deri para pak kohësh në Kosovë operonte NLB Banka komerciale, e cila kishte licencën përkatëse të institucioneve të Kosovës dhe konsiderohej si institucion financiar ligjor që u mundësonte njerëzve të merrnin të ardhura nga Serbia. Pra, ka disa precedent për të ndjekur. Duhet të kemi parasysh edhe probleme të ngjashme që ekzistonin në fushën e telekomunikacionit dhe energjisë ku, për shembull, MTS dhe EPS themeluan kompanitë e tyre degëse në veri të Kosovës, gjë që bëri të mundur që ofrimi i shërbimeve të lidhej në një farë mënyre me Serbinë”, thotë Gogiq.
Siç shpjegon ai, Banka e kursimeve postare mund të funksionojë në Kosovë si një bankë komerciale që ka licencën e duhur që do t'i mundësonte hyrjen e mjeteve në dinarë, ndërsa përdoruesit e llogarisë do të kishin llogari devizore në dinarë në Bankën e kursimeve postare.
“Nëse do t'u paguheshin paratë dhe qytetarët do t'i tërhiqnin nga bankomatët, do të ishin në euro sepse Kosova nuk është e gatshme ta ndryshojë atë aspekt të vendimit lidhur me pagesat me para të gatshme. Duke qenë se nuk flitet për lejimin e dinarit si mjet pagese në transaksionet me para në dorë, duket se ky është një vendim që nuk do të vihet në dyshim. Por aspekti më i rëndësishëm është që të mundësohet një rrjedhë e qëndrueshme e mjeteve nga Serbia për qytetarët e Kosovës dhe kjo potencialisht mund të zgjidhej duke licencuar Bankën e kursimeve postare, nëse Kosova nuk do të vinte në dyshim bazën ligjore mbi të cilën përdoruesit marrin fondet. Përkatësisht, policia apo inspektimet mund të vënë në pikëpyetje dokumentacionin mbi të cilin bazohet e drejta për të krijuar të ardhura”, paralajmëron Gogiq.
Ai thotë se mbetet çështja e institucioneve, arsimore dhe shëndetësore, nëse do të mund të hapnin llogari në Bankën e kursimeve postare.
“Duket se dispozita e planit të Ahtisaarit që komunat me shumicë serbe të kenë të drejtë të kenë hyrje të mjeteve përmes bankave komerciale nga Serbia nuk është aktivizuar asnjëherë dhe këto mjete kanë pasur për qëllim financimin e shkollave dhe institucioneve shëndetësore. Ndoshta kjo është mënyra për të siguruar qarkullimin e mjeteve për institucionet serbe në Kosovë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Sa i përket objekteve komerciale dhe hotelierike, para së gjithash në veri të Kosovës, të cilat, siç thotë ai, i kanë mbajtur kontabilitetin në dinarë, ndoshta do të duhej të regjistroheshin sipas sistemit të Kosovës dhe të ndërronin kontabilitetin në euro.
“Përdorimi i dinarit si mjet pagese duket se nuk është më objekt diskutimi, e megjithatë ekonomia, mbi të gjitha në veri të Kosovës, bazohet kryesisht në dinar. Nuk është as e pazgjidhshme, por tani në radhë të parë po flasim për gjetjen e një zgjidhjeje për hyrjen e mjeteve për personat fizik nga Serbia, që është më urgjente dhe për këtë do të bëhet përpjekje më e madhe, dhe këto çështje të tjera në lidhje me monedhën ndoshta do të zgjidhen në përputhje me vendimin e BQK-së dhe ndoshta nuk do të ketë hapësirë për kompromis”, përfundon Gogiq.
komentet