Petkoviq: Formimi i BKS-së është thelbësor, problemet duhet të zgjidhen me dialog
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, pas raundit të ri të negociatave në Bruksel, tha se delegacioni serb ka insistuar në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe theksoi se problemet duhet të zgjidhen me dialog e jo me masa të njëanshme.
Petkoviq në një deklaratë për gazetarët ka thënë se ka pasur bisedime me të dërguarin e BE-së Mirosllav Lajçak dhe më pas një bisedë të drejtpërdrejtë me palën prishtinase, të cilën e ka cilësuar si pozitive, duke pasur parasysh se muajt e fundit nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta për të cilat ka insistuar Serbia.
“Gjëja e parë për të cilën këmbënguli delegacioni serb ishte BKS si çështja më e rëndësishme, kryesore, e cila mbi të gjitha ka të bëjë me fatin dhe të ardhmen e popullit serb në Kosovë dhe Metohi. Një çështje tjetër e rëndësishme për të cilën kemi insistuar është çështja e dinarit, duke pasur parasysh vendimin e njëanshëm të Prishtinës për heqjen e dinarit, andaj edhe përfitimet sociale dhe tarifat shkollore të qytetarëve të Serbisë që i marrin këto mjete nga Serbia”, ka shpjeguar ai.
Ai ka thënë se më e rëndësishmja për delegacionin serb është se ka theksuar qartë gjithçka që pengon mbijetesën dhe jetën e popullit serb në Kosovë, të gjitha masat e dhunshme dhe të njëanshme të Prishtinës.
Ai rkujtoi se përnëntë muaj ka embargo ndaj mallrave serbe që nuk mund të hyjnë në Kosovë.
Ai ka raportuar se kanë biseduar edhe për incidente dhe sulme të shumta ndaj popullit serb, mbylljen e institucioneve serbe, duke përfshirë klinikat serbe në Prishtinë, dhe sjelljen e autoriteteve të Prishtinës ndaj serbëve.
“Ne theksuam pozitën shumë të vështirë të popullit serb në Kosovë, e cila është rënduar edhe më shumë me vendimin për ndalimin e dinarit, i cili ka prekur më të moshuarit, punonjësit dhe fëmijët, si dhe institucionet tona duke pasur parasysh faktin se Serbia dërgon burime materiale të nevojshme për funksionimin e atyre institucioneve si spitale, shkolla, kopshte. Për ne, formimi i BKS-së është vendimtar sepse e zgjidh plotësisht çështjen e financimit të të gjitha institucioneve tona dhe popullit serb siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjet tjera”, nënvizoi ai.
Ai ka raportuar se negociatori kosovar Besnik Bislimi ka insistuar për zyrtarizimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa delegacioni serb ka folur për domosdoshmërinë e formimit të BKS-së.
“Bëhet fjalë për një marrëveshje që është nënshkruar 11 vite më parë, e cila është nënshkruar edhe nga BE si garantues i saj. Shumë gjëra ndodhin kur nuk kemi BKS, të mos flasim për largimin e serbëve nga zona, sidomos në veri, se nuk mund ta durojnë terrorin e policisë së Kosovës, të mos flasim se çfarë po bëjnë në aspektin e zgjedhjeve, me kryetarë të rrejshëm komunash”, ka theksuar ai.
Petkoviq theksoi se problemet duhet të zgjidhen me dialog e jo me zgjidhje të imponuara dhe faktin se shumë mendojnë se Serbia është e vogël dhe duhet t'u bindet urdhrave të të mëdhenjve.
“Përfundimi është se ne duhet t'i përmbahemi marrëveshjes dhe të përpiqemi për paqen dhe stabilitetin, në të cilin Serbia është në krye, dhe të kërkojmë zgjidhje kompromisi për mbijetesën e popullit tonë. Nëse vazhdon kështu, nuk do të ketë më serbë në Kosovë”, paralajmëroi ai.
Kjo, thotë ai, duhet të ndalet dhe kjo duhet të jetë shqetësim edhe i bashkësisë ndërkombëtare.
“Pres që në fillim të javës së ardhshme, të hënën apo të martën, të vazhdojmë bisedimet për të qenë edhe më afër marrëveshjeve, ose do të shkojmë në drejtim të zgjidhjeve lidhur me çështjen e dinarit”, theksoi ai.
Petkoviq kujtoi se 90 mijë serbë nga Kosova kanë të ardhura të ndryshme nga Serbia dhe se është e rëndësishme që ato të mund t'i marrin në Kosovë, e jo të kalojnë kufirin administrativ për të marrë para.
“Kjo është diçka për të cilën do të insistojmë sepse kështu po luftojmë për mbijetesën e popullit serb”, nënvizoi ai.
Petkoviq theksoi se gjëja më e rëndësishme për Serbinë është gjetja e një zgjidhjeje që do të nënkuptonte që të punësuarit, pensionistët, përfituesit e asistencës sociale, tarifat e shkollave të mund t'i tërheqin paratë e tyre në Kosovë dhe që Serbia t'i paguajë ato rregullisht dhe me kohë në llogaritë e tyre.
“Të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje që do të mundësojë biznesin e Bankës e Kursimeve Postare, e cila është e vendosur në atë zonë që nga viti 2018, dhe e cila gjithashtu ka paguar para në jug të Ibrit. Të mos pretendojmë se Banka e Kursimeve Postare nuk ekziston. Ka kohë që ka, ka degët e veta. I gjithë sistemi i pagesave kalon përmes asaj Bankë. Nëpër të kalojnë mbi 50 mijë llogari të qytetarëve dhe institucioneve. Gjë që do ta vështirësonte edhe më shumë pozitën e popullit serb kur ekziston një zgjidhje”, theksoi ai.
Ai theksoi se Serbia po përpiqet të gjejë një mënyrë që serbët të mbijetojnë në Kosovë në kushte të pamundura.
0 komentet