Guxhiq: Nëse Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës, do të ishte një krim i shpërblyer
Historiani Aleksandar Gudxhiq thotë për Kosovo online se pret që non-paper, të cilin Beogradi njoftoi se do t'ua dërgojë të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës, do të përmbajë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë me vite të tëra, nga mospërmbushja e detyrimeve të parapara me Marrëveshjen e Brukselit përmes uzurpimit të pronës e deri te heqja e dinarit, gjë që vuri në pikëpyetje ekzistencën e serbëve.
“Jemi dëshmitarë që institucionet në Prishtinë por edhe individët po uzurpojnë pronat e serbëve. Paradoksi në të cilin jetojmë ilustrohet ndoshta më së miri nga fakti se Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit deri dhjetë vjet më parë ka shfrytëzuar objektet e kishës së Shën Nikollës në Prishtinë ilegalisht, pa asnjë kompensim. Pra, Agjencia, e cila sipas shkronjës së ligjit është përgjegjëse për mbrojtjen e sundimit të ligjit, në mënyrë të kundërligjshme, pa pagesë apo asnjë kompensim dhe qira, ka shfrytëzuar objektet e KOS-it në Prishtinë. Pastaj ka aktakuza sekrete, gjyqe të organizuara kundër serbëve dhe një sërë gjërash të tjera. Pa i zgjidhur të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen serbët, mendoj se Kosova nuk ka vend në Këshillin e Evropës”, thotë Guxhiq.
Ai thotë se vëmendja e opinionit ndërkombëtar duhet të tërhiqet për problemet e serbëve, por që fatkeqësisht Kosova është shpërblyer për të gjitha krimet dhe gabimet e saj nga e kaluara.
“Nuk duhet të kemi pritshmëri shumë të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga pjesa që e përkrah pavarësinë e Kosovës, por natyrisht kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga çdo formë e luftës për të drejtat tona. Nëse Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës, do të ishte edhe një shpërblim për obligimet e paplotësuara dhe krimin e shpërblyer”, tha Guxhiq.
0 komentet