Hovenier: Nuk e kam dëgjuar propozimin e Prishtinës për zgjidhjen e problemit të dinarit
Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, ka thënë se nuk e ka dëgjuar propozimin e Prishtinës për zgjidhjen e problemit të dinarit dhe se beson se Qeveria e Kosovës ende është duke punuar në të.
Ambasadori amerikan në Prishtinë ka thënë se qëndrimi i SHBA-së lidhur me rregulloren e BQK-së për dinarin është i qartë dhe se nuk bëhet fjalë për dinarin, por se janë të shqetësuar se mënyra se si zbatohet rregullorja mund të ndikojë tek komuniteti serb në Kosovë.
“Ne e respektojmë autoritetin e BQK-së, e kuptojmë se ajo ka përgjegjësi të përcaktojë politikën monetare në tërë territorin e Kosovës”, tha Hovenier, duke folur për gazetarët pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai ka thënë se shqetësimi i SHBA-ve nuk ka të bëjë me dinarin, por me mënyrën se si është zbatuar rregullorja e BQK-së.
"Ne jemi të shqetësuar që, siç tha kolegu im Gabriel Eskobar javën e kaluar, se mënyra e zbatimit mund të prekë grupet e cenueshme, veçanërisht - por jo ekskluzivisht - komunitetin serb në Kosovë," tha Hovenier dhe shtoi se shpreson se zbatimi i rregullores do të ndryshojë për të adresuar këto shqetësime, duke shtuar se diskutimet për këtë vazhdojnë.
Ai tha se shpreson që bisedimet në Bruksel të japin rezultate dhe pala serbe dhe kosovare të gjejnë zgjidhjen më të mirë.
Sipas tij, Bislimi nuk ia ka treguar propozimin e Prishtinës për dinarin.
"Mendoj se qeveria është ende duke punuar në të," tha ambasadori, duke shtuar se SHBA dëshiron që Prishtina të jetë konstruktive.
I pyetur për të komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Kristofer Hill, i cili tha se për momentin Serbia ka marrëdhënie më të mira me NATO se sa me Kosovën, Hovenier shpjegoi se gjëja kryesore në politikën amerikane është se çdo vend ka lirinë për të vendosur se cilës aleanca dëshiron t'i përkasë.
“Kjo vlen edhe për popullin e Ukrainës, mendojmë se populli i Ukrainës duhet të vendosë nëse dëshiron apo jo të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe se nuk duhet të detyrohen nga të tjerët të marrin ato vendime, në këtë rast Rusia. Po bëjmë gjithçka që mund ta ndalojmë atë pushtim brutal të Ukrainës, por në fund të fundit është që vendet duhet të vendosin vetë se me cilat aleanca sigurie do të bashkohen, kjo është baza e politikës amerikane”, tha ai.
Kur aplikohet në rajon, siç tha ai, SHBA-të janë të vetëdijshme dhe mirëpresin që Kosova ka marrë një vendim dhe ka dëshirë që një ditë të anëtarësohet në NATO.
"Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur këtë qëllim. Besojmë se do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale. SHBA vazhdon të mbështesë energjikisht popullin e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe kalimin në mbrojtjen territoriale të NATO-s, ne mbajmë trajnime, stërvitje, shesim armë dhe pajisje. Kosova mund të ketë sfida me disa anëtarë të tjerë të NATO-s, të cilët nuk e shohin Kosovën ashtu siç e shohin SHBA-të, si shtet të pavarur. Ne duam ta shohim atë të ndryshuar”, thotë ai.
Siç thotë ai, SHBA-të presin që Kosova një ditë të bëhet anëtare e NATO-s dhe është duke punuar në të dhe është e rëndësishme që Kosova të ndërmarrë hapa drejt këtij anëtarësimi.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kërcënimet e sigurisë ndaj Kosovës, Hovenier tha se mund të thotë vetëm se SHBA-të janë me popullin e Kosovës dhe janë të përkushtuara për të garantuar sigurinë në Kosovë.
"Kosova ka një përfitim, ajo ka një mision të madh të NATO-s këtu që është unik në rajon. Forcat e NATO-s përfshijnë disa qindra ushtarë amerikanë që janë atje për të siguruar një mjedis të sigurt dhe njerëzit nuk duhet të shqetësohen për ndonjë sulm," tha Hovenier.
Ai shtoi se SHBA janë të bindura se NATO është e gatshme t'i përgjigjet çdo sfide.
“Mendoj se populli i Kosovës nuk duhet të humbasë gjumin duke menduar për këtë, sepse NATO është këtu dhe ata janë të gatshëm të bëjnë atë që është e nevojshme”, tha ambasadori amerikan në Kosovë.
I pyetur për të komentuar deklaratën e Gabriel Eskobarit se Kosova ka edhe dy kushte për t'u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, Hovenier ka theksuar se Eskobar nuk e ka thënë këtë, "ai tha tashmë se çështja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është e rëndësishme dhe se disa vende evropiane kanë shprehur shqetësime shtesë".
“Eskobar nuk foli për pozicionin e SHBA, as nuk e prezantoi qëndrimin e SHBA”, tha Hovenier.
komentet