Ibishi: Përmirësimi i statusit të Kosovës në AP e NATO do të kontribuojë në anëtarësimin në Aleancë

Ibiši
Burim: Kosovo Online

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, beson se statusi i anëtarit të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të cilin Kosova e mori dje, do të kontribuojë në anëtarësimin e Kosovës në Aleancë, pasi në kohën e duhur do të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe.

“Kosova me këtë ngritje në hierarki në AP të NATO-s bëhet pjesëmarrëse e ngushtë në vendimmarrje. Mund të bëjë ndryshime dhe komente për të gjitha dokumentet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Deri tani mund të bëhej përmes një delegacioni tjetër, por tani do të mund ta bëjë direkt. Pjesëmarrja e komisioneve parlamentare të Kosovës do të jetë kontribut për paqen jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, thotë Ibishi për Kosovo online.

Ai rikujton se Forcat e Sigurisë së Kosovës aktualisht janë duke kaluar nëpër një plan transformues dhjetëvjeçar që zgjat deri në vitin 2028 dhe se ka kërkesa nga presidenti, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e Partneritetit për Paqe. 

“Kur të përfundojë ai plan zhvillimor, e ndoshta edhe para kësaj, mendoj se do të jetë e mundur që Kosova, përveç pjesëmarrjes në Kartën e Adriatikut, të jetë edhe në Partneritetin për Paqe, para anëtarësimit të plotë në NATO”, thotë Ibishi.

Asambleja Parlamentare e NATO-s dje votoi pozitivisht për ngritjen e statusit të Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar të kësaj organizate.