Jevtiq: Kurti nuk do të bëjë asgjë për të formuar AKS, por do të vazhdojë të bëjë presion mbi serbët

Dalibor Jevtić
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, bëri me dije se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk do të bëjë asgjë për Asociacionin e Komunave Serbe, përkundër apelit të bashkësisë ndërkombëtare që Prishtina urgjentisht dhe pa vonesë t'i afrohet formimit, sidomos para kësaj, siç vlerëson ai, do të rrezikonte pozitën e tij politike para zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë.

“Nuk pres që Prishtina të bëjë asgjë në këtë çështje, duke marrë parasysh përvojat tona nga e kaluara jo shumë e largët. Fakti është se më 9 shkurt do të kemi zgjedhje parlamentare në Kosovë. Pra, a mendon vërtet dikush në Bruksel se Albin Kurti do të bëjë diçka të tillë para zgjedhjeve, gjë që do ta vinte në një pozitë më të keqe”, tha Jevtiq për Juronujz.

Edhe pse partia e Kurtit pritet të fitojë zgjedhjet, shton Jevtiq, kryeministri i Kosovës nuk është aq i fortë sa për të formuar vetë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Sipas tij, pikërisht për këtë kryeministri i Kosovës nuk do të bëjë asgjë për AKS, por, përkundrazi, do të ndërmarrë hapa që janë në kundërshtim me të gjitha rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare, të cilat i referohen deeskalimit dhe një ndryshim të qasjes kur është fjala për veriun e Kosovës.

Jevtiq thekson se pikërisht për shkak të sjelljeve të tilla dhe rrezikimit të serbëve, Kosova vuan sanksionet e BE-së, të cilat, sipas tij, me shumë gjasa nuk do të hiqen.

Jevtiq nuk është optimist se Prishtina do të ndërmarrë hapa drejt formimit të AKS, ndonëse edhe vendet e Quinte kanë dërguar një apel.

“Kjo nuk është hera e parë. Këto thirrje i kemi dëgjuar edhe më parë. Nëse përmend vetëm disa nga takimet që ne, si përfaqësues të serbëve, kemi pasur me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, kemi dëgjuar disa herë gjatë viteve të fundit se "AKS do të formohet, e garantojmë me ose pa Kurtin'. Mirëpo, ne ramë në një situatë gjithnjë e më të keqe dhe pozita e serbëve përkeqësohej gjithnjë e më shumë. Vërtet nuk kam asnjë pritje derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe derisa të vendoset një administratë e re në Uashington”, tha nënkryetari i Listës Serbe.
Kur është fjala për dërgimin e draft-statutit të AKS në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Jevtiq beson se një kërkesë e tillë vetëm blen kohë dhe shmang detyrimin për formimin e AKS.
“Askush nuk shkoi nga Beogradi në Bruksel për të negociuar me Prishtinën për diçka që tashmë është e shkruar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Aty po negociohet se çfarë mund të bëhet shtesë për pozitën dhe jetën e serbëve, për të krijuar mekanizma institucionalë për mbrojtjen e serbëve në Kosovë. Procesi i dërgimit të draftit të Gjykatës Kushtetuese vetëm do të blejë kohë shtesë për dikë dhe do t'i japë Prishtinës një justifikim që të mos e zbatojë dhe të mos e formojë kurrë AKS”, theksoi Jevtiq.
Ai përkujtoi se në Bruksel është rënë dakord që Kosova të harmonizojë legjislacionin e saj në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar për AKS dhe se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen e Brukselit me shumicë dy të tretash.
“AKS për ne është çështje jete, jo çështje politike, ndërsa për Prishtinën është e gjitha politikë. Dhe po e përsëris, sidomos kur është fjala për Albin Kurtin, ai do të shfuqizonte edhe ato pak të drejta që i kemi me ligjet aktuale në Kosovë”, vëren Jevtiq.

Duke folur për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit, Jevtiq thekson se serbët duhet të kenë përfaqësuesit e tyre legjitim brenda institucioneve kosovare, të cilët do të mbrojnë të drejtat e popullit serb.

Ai theksoi se lidhja dhe mbështetja e Beogradit është e një rëndësie vendimtare për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Ajo marrëdhënie është diçka që serbët duhet ta mbështesin dhe është e rëndësishme që Serbia të vazhdojë me ndihmën dhe mbështetjen ndaj popullit serb, gjë që nuk është aspak e lehtë”, ka përfunduar Jevtiq.