Koloneli Mekgregor: Në Kosovë u krijua një status quo e gabuar si zgjidhja më e keqe e mundshme
Analisti ushtarak dhe këshilltari i lartë i ish-presidentit amerikan Donald Trump, koloneli në pension Dagllas Mekgregor, beson se në Kosovë është krijuar një status quo e gabuar, i cili nuk mund të mbahet pa praninë e forcave të huaja ushtarake, transmeton Radio serbe e Çikagos.
Mekgregor, i cili ishte pjesëmarrës në ngjarjet në Kosovë nën komandën e drejtpërdrejtë të Veslli Kllark në vitet e 90-ta, theksoi se propozimi i Rambujesë për ndarjen e Kosovës ishte refuzuar.
“Zgjidhja që do ta ndante Kosovën, veçanërisht në pjesën që është e banuar pothuajse ekskluzivisht nga serbët përgjatë kufirit serb, me provizionin për të zhvendosur më pas shtetas të tjerë serbë nga pjesët e tjera të Kosovës, me shpenzimet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare, natyrisht ishte refuzuar. Gjermanët ishin mjaft të gatshëm të jepnin para, për të krijuar një komunitet me të cilin të gjithë mund të merreshin vesh”, thotë Mekgregor.
Ai shton se aktorët në krye të administratës aktuale janë të njëjtë si në vitet nëntëdhjetë.
“Nga viti 1995 deri në vitin 2000, ne shohim disa nga të njëjtat personalitete që ishin më të rinj atëherë, dhe tani janë bërë më të vjetër, por është i njëjti problem, kështu që ne kemi diçka që është një plagë e përhershme që nuk do të shërohet”, shton Mekgregor.
Ai pretendon se në Perëndim ka një hezitim për të pranuar faktin se regjimi shqiptar mysliman në Prishtinë dëshiron të qeverisë gjithë Kosovën dhe t'i imponohet popullatës serbe, dhe thekson se, natyrisht, serbët, si të krishterë ortodoksë, nuk e lejojnë këtë.
“Ndarja e territorit ndodh kur dikush në pushtet, pra përfaqësues të ndryshëm, ulen dhe thonë – në qoftë se ne nuk dalim me një lloj ndarje, do të kemi një luftë tjetër. Ne e kuptojmë se ndarja nuk është një zgjidhje e përhershme, por është më e mira që mund të bëjmë për momentin dhe do të na blinte kohë”, tha ai.
Ai shtoi se duhet të ketë një vullnet për të bërë diçka për të cilën udhëheqja serbe duhet të mendojë dhe të shikojë një zgjidhje që është e papërsosur, por jo e përhershme, që mund të rezultojë në një lloj ndarjeje, dhe ai vendim mund të rishikohet më vonë kur të krijohen kushte të mira për të.
“Provizioni duhet të garantojë që prona që i përket kishës ortodokse nuk do të dëmtohet dhe nuk do të përdhoset dhe do të trajtohet si monumente historike ndërkombëtare, sepse këto janë fillimet e asaj që ne po mendojmë sot në botën e krishterimit të hershëm", thotë ai.
Mekgregor shprehet se nuk ka zgjidhje perfekte, por ka një zgjidhje të përkohshme.
"Lufta nuk është një përvojë e këndshme për serbët dhe të gjithë në Jugosllavi e dinë këtë. Atëherë ju na keni, Amerikë, ne u përfshimë gabimisht në një masë të madhe. Ne folëm për bombarduesit B1B që fluturuan mbi Bosnjë para disa ditësh, se ishte në thelb një lloj sinjali për shtetin serb se ne jemi ende këtu dhe se mund t'ju bombardojmë, gjë që mendoj se është e tmerrshme, sepse edhe në vitet '90 shumica prej nesh mendonin se ishte një turp i madh”, thotë ai.
Duke komentuar lëvizjet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Mekgregor thekson se Kurti aktualisht ndjen se e ka era në shpinë, veçanërisht për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, por se së shpejti mund të zbulojë se era është zhdukur.
“Ka shumë njerëz që vërejnë sasinë e madhe të armëve që ka dhe merr Kurti, të cilat fillimisht janë dërguar në Ukrainë, dhe janë shfaqur në Kosovë, pastaj transferohet diku tjetër, në duart e njerëzve që ne në Perëndim nuk do të donim t'i armatosnim, kështu që ai duhet të mendojë përsëri për atë që po bën tani dhe nëse ka mbështetje", thekson Mekgregor.
0 komentet