Krtiniq: Supozoj se sot do të mbledhim një numër të mjaftueshëm nënshkrimesh
Sanja Krtiniq, përfaqësuese e nismës qytetare për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, thotë për Kosovo online se supozon se sot do të mbledhë një numër të mjaftueshëm nënshkrimesh për peticionin.
Krtiniq përkujtoi se sot në ora 9 është hapur salla e sportit në Mitrovicën e Veriut për qytetarët që erdhën në masë për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut.
“Është e rëndësishme të theksohet se për zëvendësimin e kryetarit nevojiten 3.640 vota dhe supozimi im është se do ta mbledhim tashmë sot, nëse jo një numër më i madh i qytetarëve do të nënshkruajnë”, tha Krtiniq.
Ajo tha se të gjithë qytetarët që janë nga Mitrovica e Kosovës dhe që kanë letërnjoftim të Kosovës mund të vijnë dhe të nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.
“Është shumë e rëndësishme të theksohet se kemi pasur pengesa të mëdha që nga fillimi i procesit e deri më sot, ligji është interpretuar në një mënyrë apo në një tjetër, por të themi se kemi pasur sukses në këtë vetëm sepse e kemi njohur ligjin, sepse kemi qenë këmbëngulëse, ka munguar shumë mirëkuptimi i kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore. Ne kemi marrë një dokument për nënshkrimin e peticionit, mirëpo siç e dikton Udhëzimi Administrativ është dashur të marrim edhe miratimin për shfrytëzimin e hapësirës publike. Nuk e kemi marrë me kohë, e kemi marrë dy ditë më parë dhe për këtë vetëm sot po hapet për qytetarët ky peticion”, ka theksuar Krtiniq.
Sipas saj, hapat e mëtejshëm janë “kontrollimi nga ana jonë i të gjitha dokumenteve, nëse janë të rregullta, nëse janë të nënshkruara mirë e kështu me radhë, në mënyrë që të mos ketë probleme dhe pengesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari apo dikush tjetër”, dhe më pas prezantimi i peticionit, pas së cilës, siç thotë ajo, do të vendosë KQZ dhe të tjerët.
“Më duhet të theksoj se kemi një vit që e presim këtë, për arsye se besojmë se kryetari i komunës është zgjedhur ilegalisht, në mënyrë jolegjitime në këto zgjedhje, nuk përfaqëson zërin e popullit, popullit serb, por edhe të komunitetet tjera që jetojnë në këtë zonë”, tha Krtiniq.
Peticioni për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut është nënshkruar edhe nga krerët e Listës Serbe.
komentet