Lajçak pas takimit me Kurtin: Mund të kemi normalizim ose konfrontim
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se me të ka pasur një diskutim të rëndësishëm në lidhje me draftin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe dhe se ata gjetën një mirëkuptim për këtë proces.
“Kam biseduar në detaje me kryeministrin se si e sheh Bashkimi Evropian procesin e hartimit të Draft Statutit dhe besoj se kemi një marrëveshje për këtë proces. Kemi marrëveshjen, kemi ankesën dhe duhen ide të qarta për hapat në vijim”, tha Lajçak.
Ai theksoi se BE-ja e ka bërë të qartë se çdo model i BKS-së i bazuar në vlerat dhe parimet evropiane dhe modelet evropiane është i pranueshëm për ta.
"Ne thamë që nga fillimi, ne jemi të qartë për këtë çështje", tha Lajçak.
Lajçak ka bërë të ditur se nesër do të jetë në Serbi për vizitë zyrtare, ndërsa të hënën në Bruksel do të takohet me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptim për hapat që do të ndërmarrim dhe kemi pasur një diskutim të rëndësishëm. Të njëjtën gjë do ta diskutoj nesër në Beograd dhe të hënën në Bruksel do të takohem me dy negociatorët kryesorë Bislimi dhe Petkoviq. Të dyja palët duhet të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Lajçak.
I pyetur nëse situata në veri mund të bëhet më e rëndë, pas betimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, Lajçak tha se ka dy rrugë përpara: normalizimi apo konfrontimi dhe se kjo e fundit nuk është në interesin e askujt.
“Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim dhe duam të fokusohemi tërësisht në normalizim, ndaj duam të shmangim çdo përshkallëzim, që nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.
Ai ndër të tjera ka theksuar se pasdite do të vizitojë veriun për t'u siguruar për situatën në terren.
"Unë po shkoj në veri, por është interesante për mua të flas me kryetarin e Mitrovicës së Jugut dhe të dëgjoj pikëpamjen e tij për situatën", tha Lajçak.
0 komentet