Lista Serbe: Bastisja brutale ndaj institucioneve serbe një tjetër përpjekje e Prishtinës për ta vështirësuar jetën e serbëve

Bastisja brutale e sotme ndaj institucioneve serbe në Leposaviq dhe Shtërpcë dhe maltretimi i të punësuarve përfaqëson edhe një përpjekje tjetër nga ana e Prishtinës përmes presioneve, provokimeve dhe dhunës institucionale që ta bëjë edhe më të vështirë jetën e popullit serb në Kosovë e Metohi, ka bërë të ditur Lista Serbe.
"Është e qartë se ky veprim i pushtetit në ikje në Prishtinë është një përpjekje e qëllimshme për të larguar vëmendjen nga paaftësia e tyre për të siguruar stabilitet politik dhe për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Në vend që të merren me zgjidhjen e problemeve urgjente të qytetarëve të tyre, ata vazhdojnë me fushatën e presionit dhe frikësimit ndaj serbëve," theksoi Lista Serbe.
Siç shtohet më tej, “bastisjet në institucionet e Fondit PIO, Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ndërmarrjes komunale dhe Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore, të cilat përbëjnë shtyllën e mbijetesës së popullit tonë në këto hapësira, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të të gjitha marrëveshjeve, përfshirë edhe Marrëveshjen e Brukselit, dhe tregojnë qartë se qëllimi i Prishtinës është shpërngulja e plotë e serbëve dhe shuarja e gjithçkaje që mbart shenjën e identitetit serb.”
“Lista Serbe u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimit Evropian, ambasadave të Quint-it, UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it, që më në fund të mbrojnë të drejtat themelore të popullit serb dhe të ndalin veprimet e njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës. Populli serb mbetet i bashkuar dhe i vendosur të qëndrojë në vatrat e veta, pavarësisht të gjitha presioneve. Hyrjet në ndërtesa nuk do ta ndalin shtetin e Serbisë që të qëndrojë pranë të gjithë të punësuarve dhe përdoruesve të shërbimeve që ofronin këto institucione për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike,” theksohet në njoftim.
0 komentet