Lista Serbe dënon sulmin ndaj Llazar Millutinoviqit: Regjimi diktatorial i Kurtit inkurajon dhunën

Srpska lista
Burim: Radio Kontakt Plus

Regjimi diktatorial i Albin Kurtit me veprimet dhe deklaratat e tij politike promovon dhe nxit dhunën si mënyrë për zgjidhjen e problemeve politike, njoftoi Lista serbe dhe dënoi ashpër sulmin ndaj Llazar Millutinoviqit, i cili u rrah nga katër shqiptarë në Suhodoll mëngjesin e sotëm.

Lista serbe ka theksuar se ky është sulmi i katërt ndaj fëmijëve serbë në vetëm pak javë.

“Sulmi i paprovokuar dhe i poshtër ndaj djalit serb Llazar M. nga një grup shqiptarësh në Suhodoll para forcave speciale të Kurtit është vazhdim i planit të tmerrshëm të Albin Kurtit për të frikësuar dhe dëbuar serbët nga Kosova e Metohia. Pas tentativës për vrasjen e Stefan dhe Millosh në Shtërpcë dhe rrahja e Stefan Tomiqit në Kllokot, pesëmbëdhjetë vjeçari Llazar M. është fëmija i katërt serb i sulmuar nga ekstremistët shqiptarë në vetëm pak javë”, deklarojnë nga Lista Serbe.

Siç shtojnë ata, Llazarin e kanë rrahur vetëm se është serb.

“Të vetëdijshëm se dikush do ta relativizojë këtë sulm, duam të theksojmë se këta banditë dhe ekstremistë e rrahën Llazarin vetëm pse ai është serb, dhe sepse është praktikë e kahershme që ata që sulmojnë serbët, fëmijët dhe pronën tonë të mos dënohen“, thonë nga Lista Serbe.

Ata besojnë se heshtja e përfaqësuesve ndërkombëtarë është më e rrezikshmja.

“Lista Serbe dënon këtë sulm të poshtër ndaj Llazarit, sepse është sulm ndaj çdo fëmije serb dhe çdo familje serbe në këtë zonë, në të njëjtën kohë kërkojmë që përgjegjësit të gjenden, të privohen nga liria dhe të dënohen në mënyrë adekuate, si edhe që prania e forcave ndërkombëtare të sigurisë të rritet urgjentisht në zonat serbe për të penguar ekstremistët që të sulmojnë serbët, fëmijët dhe pronat tona”, thuhet në një deklaratë të Listës Serbe.