Lista Serbe: Kurti në Sarajevë harroi të shpjegojë se numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet për shkak të terrorit të tij

Srpska Lista
Burim: Kosovo Online

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e shfrytëzoi vizitën e tij në Sarajevë për t'u mburrur sesi ia doli me qëllimin e tij për të spastruar etnikisht Kosovën, sipas Listës Serbe, duke theksuar se ka harruar të përmend se në këtë ia ka dalë duke zbatuar terror dhe dhunë institucionale ndaj serbëve dhe duke penguar kthimin e të shpërngulurve në vatrat e tyre shekullore duke rrëmbyer pronat serbe, duke frikësuar popullin dhe duke bërë arrestime të pabaza.

"Kurti e shfrytëzoi vizitën e tij në Sarajevë për t'u mburrur se si ia doli me qëllimin e tij për të spastruar etnikisht Kosovën dhe Metohinë nga serbët, kështu që ai përmendi se ka gjithnjë e më pak serbë. Natyrisht, ka harruar të thotë se ka më pak serb për dy arsye. E para është terrori që ai ushtron mbi popullin e pafajshëm serb duke përdorur dhunën institucionale për të kryer repression, dhe e dyta është pengimi i kthimit të personave të shpërngulur në vatrat e tyre shekullore duke rrëmbyer pronat serbe, me frikësimin e njerëzve dhe arrestimet e pabaza të të gjithë serbëve që nuk duan ta shesin atdheun e tyre”, ka bërë të ditur Lista Serbe.

Ata iu referuan edhe deklaratës së Kurtit se në Serbi ka më shumë shqiptarë sesa serbë në Kosovë, duke theksuar se kjo është dëshmi e politikës së përgjegjshme të lidershipit serb.

“Në të njëjtën deklaratë, Kurti ka lavdëruar qëndrimin e shqiptarëve në Serbi, duke thënë qartë se numri i tyre është më i madh se serbët në Kosovë e Metohi, gjë që sigurisht konfirmon se politika e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq u shkon për shtat të gjithë qytetarëve të Serbisë, e kjo është respektimi i të drejtave të serbëve dhe të gjithë popujve të tjerë, forcimi dhe zhvillimi ekonomik i Serbisë dhe ndërtimi i fabrikave, rrugëve, hekurudhave, autostradave”, theksohet në Listën Serbe.

Ata thonë se serbët janë të vendosur të qëndrojnë në Kosovë dhe se do të vazhdojnë të luftojnë kundër aspiratave të Albin Kurtit.

“Lista Serbe do të vazhdojë, me mbështetjen e shtetit tonë të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, të luftojë fuqishëm me të gjitha mjetet demokratike që Kurti të mos e realizojë kurrë planin e tij dhe të dëbojë popullin tone, sepse të gjithë ne në këtë rajon jemi të vendosur të qëndrojmë në rrugën tonë”, thuhet në njoftim.