Lista Serbe përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Fitore e vogël, por e rëndësishme e popullit serb

Srpska lista
Burim: Kosovo Online

Lista Serbe ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka theksuar se është konfirmuar qëndrimi i tyre se kryesuesi i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka vepruar në mënyrë antikushtetuese dhe ka tentuar që, siç u shprehën ata, edhe një herë të marrë atë që është përcaktuar si e drejtë kushtetuese e popullit serb brenda kuvendit.

Siç kanë theksuar nga Lista Serbe në Instagram, kjo është një fitore e vogël, por e rëndësishme e popullit serb.

“Lista Serbe përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese sipas kërkesës së deputetëve të Listës Serbe, i cili ka konfirmuar qëndrimin tonë se kryesuesi i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes së Kurtit ka vepruar në mënyrë antikushtetuese dhe ka tentuar edhe një herë të marrë atë që është përcaktuar si e drejtë kushtetuese e popullit serb brenda kuvendit. Kjo është një fitore e vogël, por jashtëzakonisht e rëndësishme e popullit serb krahas një morie vendimesh të tjera të regjimit nga Prishtina, i cili duke shkelur të gjitha rregullat ka shkelur të drejtat kolektive dhe individuale të popullit tonë”, thuhet në njoftim.

Duke pasur parasysh se gjykata nuk u ka dorëzuar vendimin e plotë, nga Lista Serbe thonë se do të përmbahen nga komentet e mëtejshme rreth vendimit, posaçërisht duke pasur parasysh faktin se në kërkesë kanë paraqitur disa kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të kryesuesit të Kuvendit të Kosovës në dëm të popullit serb.

“Lista Serbe do të vazhdojë që përmes institucioneve të bëjë gjithçka për mbrojtjen e të drejtave të popullit tonë, duke arsyetuar kështu besimin që na kanë dhënë qytetarët në zgjedhje”, u tha nga Lista Serbe.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë sot vendim se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk është përfunduar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata ka obliguar deputetët që brenda 12 ditësh, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ta përfundojnë çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.