Lista Serbe: Sulmi në Palestrën e Sporteve është akt brutal kundër fëmijëve serbë

Srpska lista
Burim: Kosovo Online

​​​​​​​Sulmi i Policisë së Kosovës në Palestrën e Sporteve në Mitrovicën e Veriut është një akt brutal i drejtuar kundër fëmijëve serbë dhe të drejtës së tyre për një fëmijëri normale, zhvillim sportiv dhe shoqërim, ka bërë të ditur Lista Serbe.

Pas hyrjes së policisë në këtë objekt, Lista Serbe thekson se Salla e Sporteve në Mitrovicën e Veriut, ku çdo ditë stërviten qindra fëmijë dhe të rinj, është shndërruar sot në një arenë demonstrimi politik të forcës.

“Pa asnjë arsye, pjesëtarët e armatosur të forcave policore e kanë uzurpuar objektin sportiv dhe në këtë mënyrë kanë tentuar të frikësojnë më të vegjlit dhe të ndërpresin punën e dhjetëra klubeve sportive që ndër vite funksionojnë në përputhje me standardet më të larta pedagogjike dhe sportive,” thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Ata theksojnë se veprime të tilla paraqesin një përpjekje të qartë për albanizimin e dhunshëm të veriut të Kosovës, dëbimin sistematik të popullatës serbe dhe shuarjen e të gjitha formave të jetës normale.

“Në vend të dialogut, pushteti i Kurtit përdor forcë brutale, duke shënjestruar edhe fëmijët, me qëllim që të fshijë gjithçka që është serbe nga këto hapësira,” thuhet më tej në deklaratë.

Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare – veçanërisht BE-së, KFOR-it, UNMIK-ut dhe të gjithë aktorëve relevantë – që të reagojnë menjëherë dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

“Kërkojmë tërheqje të menjëhershme të forcave policore nga salla e sporteve dhe mundësimin e vazhdimit të papenguar të stërvitjeve dhe aktiviteteve sportive. Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare në momente të tilla do të thotë mbështetje e heshtur për dhunën dhe përgjegjësi direkte për pasojat që mund të dalin nga veprime të tilla,” përfundon deklarata e Listës Serbe.