Lluçiq: Të hënën do të shkoj në Prishtinë, do t'i referohem qasjes agresive të administratës së Kurtit ndaj MTS
Drejtori i Përgjithshëm i “Telekom Serbia” Vlladimir Lluçiq tha sot se të hënën do të shkojë në Prishtinë në mënyrë që në takime të shumta të përpiqet t'i zgjidhë të gjitha problemet që kompania e tyre “MTS” ka në Kosovë.
Në një paraqitje në TV Prva, ai ka deklaruar se vizitën e tij në Kosovë e ka përgatitur edhe gjatë takimeve në Departamentin e Shtetit, ku ishte në dhjetor
“Shkova në Departamentin e Shtetit për të përgatitur siç duhet takimet që do të mbahen javën e ardhshme, të hënën, më saktë, me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, kështu që javën e ardhshme do të jem në Prishtinë me ekipin tim dhe sërish do t'i vë në dukje të gjitha pikat që tregojnë për qasjen shumë agresive të administratës së Kurtit ndaj degës sonë", tha Lluçiq.
Ai shton se Kurti e tregoi qëllimin e tij përfundimtar në gusht kur u përpoq ta mbyllte plotësisht MTS.
"Pastaj nuk na mbyllën, dhe tani do të shkojnë në planin B, për të na e vështirësuar biznesin duke na kufizuar para së gjithash aksionet. Na penguan të marrim një kompani të vogël kabllore në Graçanicë. Ata po përpiqen në mënyrë retroaktive të marrin përsipër ata operatorë kabllorë që kemi blerë në vitin 2019. Ata na vendosën një gjobë të paarsyeshme prej një milion e gjysmë eurosh. Ajo që veçanërisht i mërzit dhe i frikëson punonjësit tanë është kur muajin e kaluar gjatë një kontrolli standard nga Agjencia e Konkurrencës kanë sjellë edhe policinë me armë tytëgjata. Ata kanë qëndruar disa orë në qendrën e të dhënave në Zveçan, e cila vetëm thotë se në fakt është bërë për shkak të presionit ndaj punonjësve. Ky lloj trajtimi i kompanisë sonë duhet të ndalet. Për mendimin tim, bashkësia ndërkombëtare po përballet me një provë të madhe”, ka theksuar Lluçiq.
Drejtori i Telekomit thotë se administrata e Kurtit duhet të punojë sipas marrëveshjes së Brukselit, por në vazhdimësi i shkel ligjet e veta.
“Kam pasur mbështetje të madhe nga Ambasada Amerikane, kemi pasur edhe mbështetjen e zotit Lajçak. U përmend se autoritetet e Prishtinës nuk duhet të shkelin marrëveshjen e Brukselit dhe të përpiqen të na fshijnë duke shkelur ligjet e tyre. Kështu që pres mbështetje edhe këtë herë. Ne do të sjellim ekspertë dhe njerëz që më parë kanë punuar dhe menaxhuar pjesën ligjore të Komisionit Evropian për të shpjeguar mënyrën skandaloze me të cilën po sillet Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe mendoj se as Evropa dhe as Amerika nuk duhet ta lejojnë këtë”, tha Lluçiq.
Ai tregon se para administratës së Kurtit, MTS nuk ka pasur probleme në afarizëm, ata tashmë kishin mirëkuptim nga njerëzit që punonin në rregullatorë.
“Tani ata po e shtrembërojnë atë në një mënyrë të tillë që thjesht po përpiqen të zvogëlojnë biznesin tonë me qëllimin përfundimtar që të përpiqen të na dëbojnë. Përveç kësaj, kur na sulmuan, ne kemi si pikë të veçantë dhënien e licencës së tretë për telefoninë celulare. Është e shkruar në marrëveshjen e Brukselit dhe është detyrim i tyre. Prej dhjetë vitesh nuk na japin një licencë të tretë sepse e dinë që atëherë ne do të dominonim atë treg të telefonisë celulare, sepse kemi dy konkurrentë shumë të dobët. Tani atyre operatorëve ekzistues u dhanë fshehurazi disa licenca për 5G, vetëm që të mos shtrohej çështja e asaj licence të tretë”, tha Lluçiq.
Ky i fundit ka shtuar se në Kosovë do të shkojë edhe më 5 shkurt, kur do të ketë takime edhe me ambasadorët e huaj.
"Unë jam një optimist i madh dhe mendoj se më në fund do t'i zgjidhim të gjitha problemet që ka kompania jonë atje poshtë. Tani për tani, ata po tregojnë se nuk respektojnë asgjë. Administratat perëndimore duhet të përballen me të vërtetën dhe të shohin se kanë një problem të madh me administratën e Kurtit”, ka përfunduar Lluçiq.
komentet