Makron: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është kusht thelbësor për integrimin evropian
Presidenti i Francës, Emanuel Makron, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është kusht thelbësor për integrimin e tyre evropian.
Në rrjetin social “X”, Makron ka raportuar se ka pasur një bisedë të gjatë me presidentin e Serbisë dhe se një nga temat ka qenë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me të cilin Franca është shumë e lidhur.
Ai ka treguar se Vuçiqit i ka theksuar se sa rëndësi i kushton Franca të ardhmes demokratike dhe evropiane të Serbisë.
“Shpreha besimin tim në aftësinë e Serbisë për të gjetur sërish rrugën e dialogut dhe shpresoj se qeveria e ardhshme do të vazhdojë me vendosmëri reformat e pritura dhe do të konsolidojë rezultate shumë të mira ekonomike”, vazhdoi njoftimi.
Makron theksoi gjithashtu përkushtimin e Francës ndaj integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai shtoi se kanë diskutuar edhe për situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“E rikujtova mbështetjen tonë të palëkundur për unitetin e atij vendi, si dhe dënimin e çdo veprimi që synon të vërë në dyshim këtë njësi,” shtoi ai në këtë kontekst.
Ai tha se është përgjegjësi e të gjithëve të angazhohen për respektimin e rendit kushtetues, në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të kthehet në rrugën e saj evropiane.
Makron theksoi se kanë biseduar edhe për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të mbrojtjes, si vazhdim i vizitës së tij në Beograd në gusht të vitit të kaluar.
Ai gjithashtu bëri të ditur se i ka konfirmuar presidentit Vuçiq pjesëmarrjen e Francës në ekspozitën ndërkombëtare Ekspo 2027.
0 komentet