Vuçiq: Me Makronin edhe për Kosovën– pavarësisht dallimeve, qëndrimet janë gjithnjë e më të afërta

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se ka pasur bisedime të mira me presidentin francez Emanuel Makron, për të cilat beson se do të sjellin rezultate të mira për Serbinë. Vuçiq bëri të ditur se me Makronin ka diskutuar për shumë tema, ndër të cilat edhe për Kosovën, duke theksuar se për këtë çështje, pavarësisht dallimeve, qëndrimet po afrohen gjithnjë e më shumë.
“Ne folëm edhe për Kosovën dhe Metohinë, nuk mendojmë njësoj për gjithçka, fakti është se ata e njohën pavarësinë e Kosovës, por ne kemi pikëpamje gjithnjë e më të afërta”, u tha Vuçiq gazetarëve pas takimit në Paris.
Ai falënderoi presidentin francez për mirëkuptimin e tij për pozicionin e Serbisë, duke shtuar se Makron me të vërtetë "hyn thellë në të".
“Ai bisedoi me mua për më shumë se dy orë dhe e falënderoj pafund. Kjo tregon vendin e Serbisë dhe unë jam shumë i lumtur për këtë, dhe shpresoj që edhe qytetarët të jenë”, tha Vuçiq.
Takim i mirë, besoj se do të sjellë përfitime për Serbinë
Presidenti tha se është i kënaqur me bisedën me Makronin.
“Shpresoj dhe besoj se do të sjellë rezultate të mira për Serbinë”, theksoi Vuçiq.
Ai përcolli se kanë diskutuar edhe për të ardhmen evropiane, çështje gjeopolitike.
Tha se beson që Makron do të japë një deklaratë në lidhje me “Expo” dhe se beson se do të marrin një përgjigje pozitive formale për pjesëmarrjen e Francës.
U diskutua gjithashtu, shtoi ai, edhe për mënyrën se si të zgjidhen çështjet e taksave amerikane, në mënyrë që të mos prekin fabrikën e Mishelinit dhe të tjerat në Serbi.
“Konstatuam marrëdhënie të mira dhe çfarë duhet të bëjmë në periudhën e ardhshme”, shtoi Vuçiq.
Bota po hyn në një kohë të trazuar, një kohë pasigurie po vjen, është mirë të kesh një aleat në Francë
Duke komentuar vendimin e Kinës për “hakmarrjen” ndaj Amerikës me vendosjen e taksës prej 84 për qind, Vuçiq tha se kjo ishte edhe një nga temat e bisedës me kreun e shtetit francez.
Ata deklaruan, thotë ai, se po hyjmë në një epokë të shqetësuar, në një kohë pasigurie të përgjithshme në botë dhe se do të zgjasë shumë.
"Po vijnë kohë të vështira, të gjithë duhet të përgatitemi. Është mirë që kemi një aleat si Franca në Evropë. Franca po punon dhe shpresoj se do të vazhdojë të punojë për të qetësuar situatën në Ukrainë", paralajmëroi presidenti i Serbisë.
Ai shtoi se Makron diskutoi gjithashtu situatën në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet në rajon.
"Kam pasur iniciativa në lidhje me Republikën Sërpska dhe BeH, si dhe disa çështje të tjera. Kemi diskutuar edhe për situatën në Serbi, jam krenar që kemi kaluar katër muaj terror në mënyrë paqësore dhe demokratike. Diskutuam situatën në botë, e cila është e vështirë, por besoj se në bashkëpunim me miqtë tanë do të mund të bëjmë shumë", tha Vuçiq.
Ai tregoi se situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është tema më e vështirë për momentin.
"Kam luftuar për një kompromis, sepse nuk mund të pranoj që zgjidhja e vetme është arrestimi i Millorad Dodik. Kjo nuk është zgjidhje. Është thellim i problemit", tha Vuçiq pa dhënë detaje për iniciativën që i ka përcjellë presidentit francez.
Qeveria kalimtare nuk më intereson
Duke u ndalur te ngjarjet në vend, Vuçiq përsëriti se nuk është i interesuar për një qeveri kalimtare.
Në lidhje me tubimin e paralajmëruar në Beograd më 12 prill, ai tha se nuk i është i rëndësishëm numri i qytetarëve që do të mblidhen, por ideja e lirisë, rezistencës ndaj okupatorit, luftës për një Serbi të pavarur dhe të suksesshme, rreth së cilës do të mblidhen përpara Kuvendit.
“Ftoj popullin që më 12 prill në ora 19:00 të vijë para Kuvendit për të luftuar për Serbinë, që të mos ua lëmë atyre që duan të shkatërrojnë të gjitha vlerat e saj. Ji i guximshëm ndaj vetes dhe ndaj vendit tënd dhe eja më 12 prill”, tha Vuçiq.
Studentët i ftoi që të kthehen te mësimi.
0 komentet