Marinkoviq: Aktakuza për krim lufte në Reçak është e motivuar politikisht për të frikësuar serbët

Danica Marinković
Burim: Kosovo Online

Gjykatësja hetuese në rastin Reçak, Danica Marinkoviq, deklaroi se ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Prishtinë kundër 21 personave për krim lufte ndaj popullsisë civile në Reçak është e motivuar politikisht me qëllim frikësimin e popullsisë serbe në Kosovë dhe theksoi se bëhet fjalë për gënjeshtra, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e një procesi të mundshëm gjyqësor.

“Është një shfaqje. Nuk kanë çfarë tjetër, tani po trillojnë. Kë mund ta akuzojnë ata për krim lufte në Reçak, kur dihet e vërteta, e cila nuk u përshtatet dhe nuk e pranojnë. Krijojnë versione të ndryshme, shfaqje të ndryshme me aktakuza. Kanë mbështetjen e Perëndimit, Amerikës dhe Evropës”, tha gjykatësja Marinkoviq për Kosovo online.

Ajo theksoi se aktakuza të tilla janë të motivuara politikisht dhe kanë për qëllim t’i frikësojnë serbët aq sa të largohen nga Kosova, duke vënë në dukje se, pavarësisht kësaj, populli serb u bashkua para zgjedhjeve dhe i solli fitoren Listës Serbe për të mundur të mbijetojë.

Marinkoviq vuri gjithashtu në dyshim legjitimitetin e një gjykimi të mundshëm.

“Ata do të gjejnë dëshmitarë të rremë. Çfarë provash për Reçakun mund të ofrojnë? Nuk kanë asnjë provë. Provate për atë që ka ndodhur i kemi ne, pala serbe. Si gjykatëse hetuese, kam qenë në terren dhe kam parë çfarë ka ndodhur. Gjetëm trupat, u kryen autopsitë dhe u konstatua se kanë vdekur nga plagët e shkaktuara nga armët e zjarrit”, tha ajo.

Marinkoviq theksoi se Reçaku gjatë luftës ishte bastioni më i madh i “terroristëve shqiptarë”, përkatësisht luftëtarëve të UÇK-së, dhe se informacionet e përfshira në aktakuzë janë të rreme.

“Gënjeshtra, gënjeshtra dhe gënjeshtra. Së pari, ata thonë se ushtria (jugosllave) e ka rrethuar fshatin dhe e ka granatuar, gjë që nuk është e vërtetë. Në aksionin e 15 janarit kanë marrë pjesë pjesëtarë të policisë serbe, ndërsa ushtria nuk ka marrë pjesë fare dhe fshati nuk është granatuar. Kam hyrë në fshat, asnjë shtëpi nuk ishte e rrënuar dhe nuk kishte gjurmë granatimi”, thekson gjykatësja.

Pretendimet nga aktakuza se gratë dhe fëmijët janë ndarë dhe dëbuar, ndërsa burrat janë ekzekutuar, janë gjithashtu të pavërteta, vëren Marinkoviq.

“Gratë, fëmijët dhe civilët e kanë braktisur fshatin, ku kanë mbetur vetëm terroristët që e ruanin, hapnin llogore, kryenin aksione terroriste në atë zonë, vrisnin policë, civilë, shqiptarë dhe serbë. Gjithçka që është përmendur është trillim dhe nuk mbështetet me asnjë provë”, tha ajo.

Ajo shtoi se në aktakuzë përmenden 42 trupa, ndërsa gjatë hetimeve janë gjetur mbetjet e 40 personave që, sipas saj, ishin pjesëtarë të “bandës terroriste”, dhe se nuk kishte civilë.

“Gjetëm një ton armë, gjetëm shtabin e tyre, fletoret e tyre, planet, oraret dhe listat. Gjithçka që u gjet si provë në vendin e ngjarjes gjatë këqyrjes që kam kryer tregon se aty kanë qenë terroristë shqiptarë nga zona e fshatrave Reçak, Borovë, Petrovë dhe rrethina e Reçakut”, tha Marinkoviq.

Ajo theksoi se këta luftëtarë më vonë e quajtën veten UÇK, por se bëhet fjalë për një organizatë armiqësore që ka kryer veprën penale të terrorizmit.

“I përbërë nga shqiptarë të trajnuar, të armatosur deri në dhëmbë dhe që kryenin aksione terroriste. Kjo ishte një organizatë armiqësore që vriste policë, civilë shqiptarë dhe serbë. Qëllimi i tyre ishte që përmes armëve dhe kryerjes së aksioneve terroriste të dëbonin popullsinë serbe, të shkëputnin një pjesë të territorit të Serbisë dhe të krijonin një shtet të veçantë, të ashtuquajturën Republikë e Kosovës, të cilën më pas do ta bashkonin me Shqipërinë. Të gjitha këto janë motive armiqësore”, përfundoi Marinkoviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, kundër 21 personave për veprën penale “krim lufte kundër popullsisë civile” në fshatin Reçak.

Në janar të vitit 1999, në fshatin Reçak pranë Ferizajt humbën jetën 45 shqiptarë, çka ishte shkak për bombardimet e NATO-s që do të fillonin më vonë atë vit, më 24 mars 1999.

Shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, deklaroi menjëherë se aty ishte kryer një krim lufte, ndërsa ekspertja finlandeze Helena Ranta tha se rezultatet e autopsisë tregonin se viktimat ishin ekzekutuar. Megjithatë, dy vjet më vonë, në një publikim shkencor të botuar në Finlandë, një grup ekspertësh të mjekësisë ligjore analizoi të gjithë dokumentacionin dhe nxori një përfundim të qartë se raporti i Rantës nuk kishte qenë i saktë.