Mazreku: Komunat në veri si të gjitha të tjerat duhet të kenë qeverisje legjitime

Mazreku
Burim: Kosovo Online

Profesori i së drejtës evropiane, Avni Mazreku thotë se komunat në veri të Kosovës, apo në çdo komunë tjetër të Kosovës, duhet të kenë qeveri legjitime që do të dalin nga një proces i lirë dhe demokratik. Zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe legjitimiteti i tyre, shton ai, varen nga vullneti apo interesi i qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike.

Kur ka bojkot të proceseve demokratike, thekson ai, atëherë nuk ka legjitimitet të procesit zgjedhor.

Këtë e deklaron Mazreka për Kosovo online, duke komentuar masat e prezantuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për avancimin e dialogut, ku ndër të tjera përfshihet edhe shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike lokale në veri të Kosovës.


“Procesi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës është shfrytëzuar nga të dyja palët për qëllime politike. Zgjedhjet e fundit u bojkotuan si rezultat i një qëndrimi të caktuar politik”, thotë Mazreku.

Për të zgjidhur çështjet e hapura, shton ai, duhet vullnet nga të dyja palët.