Miliqeviq: Nuk do të ketë përparim në veri derisa të shpallen zgjedhjet e reja

Miodrag Milićević
Burim: Kosovo Online

Drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Aktiv” Miodrag Miliqeviq thotë se viti i parë i mandatit të kryetarëve shqiptarë në veri të Kosovës ishte një periudhë shumë e trazuar që vazhdon dhe se “e gjithë historia për komunat në veri do të përfundojë kur të tshpallen zgjedhjet e reja”.

“Ajo që do të kujtojmë vitin e kaluar nuk është vetëm fërkime politike, por edhe pamundësia e kryetarëve komunalë dhe zyrtarëve komunalë që ta ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrën e parashikuar me ligj dhe në mënyrën se si veprohet në komunat tjera. Mirëpo këtu është situata shumë më ndryshe sepse ne e dimë se si janë zgjedhur kryetarët e komunave dhe si janë konstituuar vetëqeverisjet. Ka pasur thirrje të shumta nga bashkësia ndërkombëtare, pikërisht për shkak të mungesës së legjitimitetit të përfaqësuesve të zgjedhur, që përveç Mitrovicës së Veriut, mandatin duhet të kryejn jashtë objekteve komunale, madje kemi pasur thirrje që në këtë periudhë, sado që të zgjasë, të mos marrin vendime kyçe esenciale që do ta përkeqësonin edhe më shumë situatën në terren, por nuk ishte kështu”, tha Miliqeviq Kosovo online.

Ai rikujton se në fillim të mandatit të pushtetit të ri, në komunën e Mitrovicës së Veriut ishte ndaluar ndërtimi i Qendrës së Studentëve dhe se pasuan një sërë vendimesh të cilat në një moment kërcënuan të përkeqësojnë situatën në atë që ai thotë se ishte tashmë një situatë e ndërlikuar socio-politike.

“Duket se nuk do të ketë progres derisa të arrijmë në fazën ku shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme për të kthyer dialogun politik aty ku i takon, që është kuvendi lokal dhe kuvendi në nivelin qendror të Kosovës. Kemi mungesën e dialogut politik”, vlerëson Miliqeviq.

Dialogu, thekson ai, nuk duhet të ketë alternativë në formën e veprimeve dhe vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, dhe në këtë kontekst ai përmend vendimet për ndalimin e dinarit dhe ndalimin e importit të mallrave serbe.

“Vetëm ndonjëherë kemi reagime më serioze që tregojnë për domosdoshmërinë e ndryshimit të vendimeve të tilla të Qeverisë së Kosovës, por deri më tani pa ndonjë efekt real”, përfundon Miliqeviq.