Miliqeviq: Raundi i fundit i dialogut nuk ishte një fiasko, por nuk ka përparim në çështjet kryesore

Miodrag Milićević
Burim: Kosovo Online

Raundi i fundit i dialogut në Bruksel, për dallim nga takimet e mëparshme në kuadër të atij procesi gjatë dy viteve të fundit, nuk përfundoi me një fiasko të plotë, tha analisti nga Mitrovica e Veriut Modrag Miliqeviq, duke e vlerësuar pozitivisht se Beogradi dhe Prishtina, pas një bllokimi serioz në negociatat, ranë dakord të punojnë së bashku për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Megjithatë, ai vëren se edhe këtë herë çështjet kyçe të zbatimit të marrëveshjeve të arritura, përfshirë AKS, kanë mbetur të pazgjidhura.

“Kemi pasur një progres, nuk mund të themi se përfundoi në një fiasko si të mëparshmet. Kësaj radhe kishim një marrëveshje e cila, pas një vonese të gjatë dhe shtyrjes së afateve, më në fund u arrit, dhe ky është një informacion pozitiv kur flasim për dialogun - që pas vonesës vërtet të madhe që patëm dhe mosbesimit, që ndoshta është i dukshëm për të gjithëve, është e qartë se tani kemi pasur një lloj progresi kaq të denjë”, tha Miliqeviq për Kosovo online.

Megjithatë, çështja e zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, thekson ai, mbetet e diskutueshme, ashtu siç ishte edhe pas raundeve të mëparshme të dialogut.

Ai beson se për këtë do të bëhen analiza më të detajuara kur të krijohen ekipet, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Pasi që mandatit të Lajçakut po i vjen fundi, thekson ai, nuk ishte reale të pritej se do të kishte përparim kur bëhet fjalë për çështjet kyçe - AKS dhe marrëveshja për telekomunikacionin dhe energjinë.

“Nëse do të përmbledhim fundvitin, rezultate vërtet modeste sa i përket dialogut, do të thosha të pakënaqshme, me tendencë që një qasje e tillë në dialog të vazhdojë diku gjatë muajit janar dhe shkurt”, theksoi ai.

Miliqeviq thekson se stagnimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka zgjatur për gati dy vjet.

“Duke marrë parasysh të gjitha turbulencat dhe ngjarjet politike në Kosovë dhe marrëdhëniet shumë të vështira mes Beogradit dhe Prishtinës, kjo situatë ka zgjatur gati dy vite të plota. Nuk kemi pasur progres të dukshëm dhe të gjitha ato ‘sukseset’ që janë arritur, nëse ka pasur në përgjithësi, janë bërë duke shkaktuar kriza të caktuara, qofshin çështje tabelash etj”, theksoi analisti.

Ai shton se nuk mund të flitet për ndonjë progres në dialog nëse merret parasysh fakti se kanë kaluar gati 10 vjet nga arritja e marrëveshjes për formimin e AKS.

Siç vëren ai, për çështjen e AKS përsëriten edhe sot e kësaj dite të njëjtat pallavra dhe thirrje për njërën dhe tjetrën palë, për të filluar me të.

I pyetur se çfarë do t'i lërë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak pasardhësit të tij në raportin lidhur me dialogun, Miliqeviq thotë se dokumenti do të ketë aspekte pozitive dhe negative të dialogut, duke përfshirë të gjitha sfidat me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare.

Ai beson se pasardhësi i Lajçakut do të ketë një barrë të madhe.

“Sigurisht që mbetet barra dhe përgjegjësia e të gjithë ndërmjetësve të ardhshëm në dialog, të cilët do të angazhohen drejtpërdrejt dhe do të përpiqen që përfundimisht ta kthejnë dialogun politik në nivelin e Beogradit dhe Prishtinës atje ku u ndal dhe në mënyrën se si filloi diku. Do të jetë një detyrë serioze për bashkësinë ndërkombëtare dhe do t'i paraprijnë zgjedhjet në Kosovë dhe stabiliteti politik në nivel të Serbisë, duke përfshirë edhe përpjekjen për të stabilizuar situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës. Këto janë parakushtet që do të presin një ndërmjetës të ri të ardhshëm në procesin e negociatave”, përfundoi Miliqeviq.