Millivojeviq: Perëndimi dëshiron të përshpejtojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës për shkak të përfundimit të mundshëm të luftës në Ukrainë

Zoran Milivojević.jpg
Burim: Print Screen

Ish-diplomati, Zoran Millivojeviq, pret që Perëndimi të përshpejtojë negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe të përpiqet ta zgjidhë çështjen para përfundimit të luftës në Ukrainë, transmeton Politika.

“Ata duan të zgjidhin problemin e Kosovës dhe që ky rajon, me Kosovën si shtet dhe anëtar të NATO-s, të hyjë në atë sferë dhe kjo të jetë çështjë e përfunduar. Kështu thonë ambasadori amerikan Hill dhe diplomatë të tjerë dhe ky është qëllimi i tyre. Dëshirojnë ta përshpejtojnë sepse mund të pritet që Rusia të përshpejtojë apo të përfundojë luftën në Ukrainë këtë vit. Përveç kësaj, zgjedhjet në BE dhe SHBA po vijnë dhe kjo është mundësia e fundit që ato administrata të bëjnë diçka konkrete”, thotë Millivojeviq.

Millivojeviq thekson se plani franko-gjerman ka dy hapa - një hyrje, në të cilin do të binte dakord për parimet bazë të marrëdhënieve dhe vendosjen e një lloj normalizimi të marrëdhënieve.

“Pjesa e dytë do të ishte përfundimtare, në të cilën ata do të donin të shmangnin njohjen, por megjithatë të kenë njëfarë normalizimi dhe të kenë marrëdhënie mes dy subjekteve. Ata do të përpiqen të fillojnë me këtë në mënyrë që të krijojnë mundësinë që shtetësia e Kosovës të konfirmohet përmes qasje në organizatat ndërkombëtare. Prandaj, në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe, dhe për të krijuar kushtet që pesë vendet që nuk e kanë njohur të ashtuquajturën Kosovë ta bëjnë këtë, bazuar në marrëveshjen parimore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe në bazë të kësaj të hapen negociatat e Kosovës me Bashkimin Evropian”, thotë Millivojeviq.

Në disa qarqe diplomatike dëgjohet se kur të shteren të gjitha bisedimet dhe të zvogëlohen presionet, Beogradit dhe Prishtinës do t'i ofrohet një marrëveshje që do të jetë përfundimtare. Pala që refuzoi dokumentin do të cilësohej si fajtore kryesore dhe do të mbante pasojat.

Duke komentuar këtë mundësi, Millivojeviq thotë se teorikisht është e mundur, por që Perëndimi të bëjë diçka të tillë, fillimisht duhet të heqë dorë nga Serbia dhe të ketë mekanizma të gatshëm për destabilizimin e mundshëm.

"Kjo do të nënkuptonte ndalimin e të gjitha proceseve në rajon dhe lënien e problemeve këtu të pazgjidhura, të cilat më pas do të zgjidhen nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës. Nuk mendoj se ata do të veprojnë kështu dhe do të përpiqen të na thyejnë shpinën përmes ekonomisë. Kështu e shikoj strategjinë e re amerikane me paralajmërimin se ky vit do të pasohet me rritje të investimeve në sektorin e energjisë, në mënyrë që përmes kësaj të ndikohet edhe në politikën e vendit tonë”, thekson Millivojeviq.