Millivojeviq: Vuçiq nuk duhet të marrë pjesë në samit nëse Këshilli i Evropës nuk miraton amendamentin e Serbisë
Ish-diplomati Zoran Millivojeviq beson se, nëse Këshilli i Evropës miraton një rezolutë për Ukrainën me një tekst që nuk përfshin amendamentin e Beogradit që mbron integritetin territorial të Serbisë, nuk ka kuptim që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të marrë pjesë në Samitin e Këshillit të Evropës në Rejkjavik, shkruan Sputnjik.
Millivojeviq tha se ky qëndrim i Serbisë është edhe mesazh i qartë politik.
“Është zbatimi i parimeve të politikës së jashtme të vendit tonë që u paralajmëruan kur Këshilli i Evropës vendosi që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare”, thekson Millivojeviq.
Ai shpjegon se amendamenti i Serbisë është i natyrës parimore, sepse në draft-rezolutë përmendet përkrahja për Ukrainën, integriteti territorial dhe sovraniteti i shteteve anëtare, përveç Ukrainës, edhe Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Ai thekson se me amendamentin e Serbisë bëhet e ditur se të gjitha vendet e tjera duhet të shtohen, se ka edhe sovranitet dhe integritet territorial serb.
“Ne kemi thënë në parim se rezoluta respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve anëtare sovrane, sepse ne jemi anëtare të Këshillit të Evropës brenda kufijve në të cilët jemi edhe anëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe këta janë kufijtë që përfshijnë Kosovën e Metohinë si pjesë të shtetit të Serbisë. Prandaj nëse në atë rezolutë thoni sovranitetin e të gjitha shteteve dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve anëtare, kjo duhet të nënkuptojë edhe integritetin territorial të Serbisë me Kosovën e Metohinë“, shpjegon Millivojeviq.
Sipas tij, nëse teksti nuk ndryshohet, mos shkuarja e Vuçiqit në Rejkjavik do të ishte aplikim i qëndrimit të Serbisë pasi KE-ja vendosi që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare.
“Nëse e refuzojnë amendamentin dhe e bëjnë të ditur se nuk respektojnë integritetin territorial, atëherë për shkak të interesit tonë shtetëror dhe kombëtar, Kushtetutës sonë, duke pasur parasysh se jemi anëtarë të plotë, me kapacitet të plotë, me integritet të plotë territorial me Kosovën e Metohinë, ne nuk mund të marrim pjesë atje. Thjesht nuk mund ta pranojmë këtë”, tha Millivojeviq.
I pyetur se cilat mund të jenë reagimet, nëse presidenti serb nuk shkon në Samit, nëse Serbia mund të presë presion shtesë për shkak të qëndrimit të saj neutral ndaj krizës në Ukrainë, Millivojeviq thotë se asgjë e re nuk do të ndodhë, sepse vendi është nën presionin nga rënia e murit të Berlinit, nga agresioni i NATO-s, që nga viti 2008 dhe që prej atëherë ka qenë vazhdimisht nën presion.
“Presioni nuk mund të thotë asgjë të re për ne, mund të jetë vetëm sqarim me Këshillin e Evropës, jo presion. Qëndrimi ynë është plotësisht i qartë, ata duhet të na shpjegojnë pse është e papranueshme për ta, nëse ata vënë në dyshim shtetin e Serbisë si anëtar në integritetin e saj territorial”, tha Millivojeviq.
Siç ka thënë ai, Këshilli i Evropës tashmë ka qenë i ndarë për rastin e Kosovës, gjë që nuk ka qenë asnjëherë në historinë e tij kur është fjala për procedurën për pranimin e anëtarëve të rinj.
“Këshilli i Evropës tashmë është i ndarë, nëse edhe këtu del në pah kjo ndarje, atëherë organizata është në telashe serioze”, përfundon Millivojeviq.
0 komentet