Montgomeri: Nëse Trump fiton, ai dhe njerëzit e tij do të jenë më të ashpër ndaj Kurtit
Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Uilliam Montgomeri, tha se zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA do të jenë zgjedhjet më të rëndësishme në jetën e tij, sepse do të kenë ndikim të madh në të ardhmen e Amerikës.
Në një intervistë për “Euronews”, Montgomeri foli edhe për ndikimin që do të ketë rezultati i zgjedhjeve amerikane në Serbi.
Ai tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse Amerika është në telashe të mëdha. Sipas tij, sot ekzistojnë dy Amerika.
“Palët ndryshojnë për shumë çështje të ndryshme. Gjithmonë ishte një grup politikanësh në qendër që ishin dakord dhe arrinin kompromise. Sot nuk ka një gjë të tillë, ka një hendek të madh mes dy palëve për shumë çështje, ndaj nuk ka gjasa të zgjidhet diçka. Mos harroni se nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhjen e një presidenti. Bëhet fjalë për të gjithë përfaqësuesit në Kongres. Gjithashtu zgjidhet një e treta e senatorëve. Si rezultat, ne do të kemi një ndikim të jashtëzakonshëm në të ardhmen e Amerikës”, tha Montgomeri.
Ai thotë gjithashtu se pyetja nuk është vetëm nëse do të zgjidhet Kamala Haris, por edhe nëse ajo do të vazhdojë me politikat që po ndiqen sot nën Bidenin.
"Problemi është drejtpërdrejt me republikanët dhe Trump. Ai ka thënë disa gjëra të tmerrshme për atë që mund të bëjë nëse bëhet president, kështu që është e paparashikueshme se çfarë do të bëjë me këtë. Por disa nga këto gjëra mund të jenë katastrofike për Amerikën dhe botën”, tha ish-ambasadori amerikan.
Në lidhje me krahasimin e Trump me Hitlerin dhe fjalë të tjera të ashpra, Montgomeri deklaroi se do të dëmtojë Amerikën.
"Megjithatë, në realitet, shumica e njerëzve në SHBA kanë vendosur tashmë se kë do të mbështesin. Ata që mbështesin Trumpin e kanë bërë sinqerisht një kult ndaj tij. Dhe ai mund të thotë çfarë të dojë dhe mbështetësit e tij, ashtu si anëtarët e një sekti, do ta pranojnë atë, edhe pse shumë prej nesh i konsiderojnë të tmerrshme deklaratat e tij”, tha ai.
I pyetur për ndikimin e zgjedhjeve amerikane në Serbi, Montgomeri tha se nëse Haris fiton, politika e SHBA ndaj Serbisë do të vazhdojë ashtu siç është.
"Ajo nuk është në asnjë mënyrë anti-serbe. Mendoj se ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Serbinë dhe qeverinë serbe," tha ai.
Duke folur për çështjen e Kosovës, Montgomeri tha se ajo që po bën Albin Kurti sipas tij është një lloj forme e ngadaltë e spastrimit etnik.
“Nëse Trump vjen në pushtet, ai dhe njerëzit e tij do të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Kurtit. Ky është përfitimi që Serbia do të nxjerrë prej saj. Nuk e di nëse kjo do të përkthehet në çështje të tjera. Unë mendoj se do të ketë një prirje më të madhe për të investuar nëse Trump është në pushtet. Kjo është ajo që po ndodh tani dhe do të vazhdojë”, tha Montgomeri.
Kur është fjala për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ai thotë se problemi është në radhë të parë në BE, e cila nuk ka qenë mjaft agresive.
"Tani keni një kroat Picula që është raportues. Është turp, nuk mendoj se duhej lejuar. Por në çdo rast, BE-ja është jashtëzakonisht e rëndësishme për ju, dhe nuk mendoj se SHBA-të do të tentojnë të imponojnë një dialog ndryshe nga ai aktual”, thotë ish-diplomati amerikan.
I pyetur për marrëdhëniet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë, Montgomeri tha se Aleksandar Vuçiq bëri një punë të mirë në një situatë të vështirë.
“Ai po përpiqet të rikrijojë praktikisht modelin e Titos, dhe kjo është se ai ka miq nga të gjitha anët, dhe kjo përfshin Kinën, Rusinë, BE-në dhe SHBA-në. Kjo është sigurisht një detyrë jashtëzakonisht e vështirë. Mendoj se e bëri me sukses dhe kështu do të vazhdojë”, tha ai.
0 komentet