Muhaxhiri: Ndryshimi i statusit të Krimesë mund të prodhojë një efekt domino

Artan Muhadžiri
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Artan Muhaxhiri vlerësoi se njohja e mundshme amerikane e sovranitetit të Rusisë në Krime do të prodhonte një efekt domino në kuptimin gjeostrategjik dhe gjeopolitik, i cili mund të ndikojë në marrëdhëniet e ardhshme mes Rusisë dhe Kinës në raport me Kosovën.

“Kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe nëse ndodh, atëherë do të shkaktojë një efekt domino në aspektin gjeostrategjik dhe gjeopolitik”, thotë Muhaxhiri për Kosovo online.

Thekson se mes Krimesë dhe Kosovës ekzistojnë ngjashmëri, por se konteksti ka qenë i ndryshëm sepse Jugosllavia u shpërbë përmes një lufte.

Ai është i bindur se nëse Ukraina pranon sovranitetin rus mbi Krimenë, kjo do ta ndryshojë "tërësisht kontekstin".

“Atëherë do të ndryshojë edhe pamja e Kosovës dhe mendoj se do të ishte më e lehtë madje që edhe Rusia apo Kina ta pranojnë realitetin e ri në lidhje me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe madje të mos e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Nuk e di nëse do të mund ta pranonin pavarësinë e Kosovës, megjithatë mendoj se mund të mbeteshin neutrale në Këshillin e Sigurimit, dhe edhe kjo do të ishte një ndryshim i madh, një ndryshim tektonik i madh”, vlerëson Muhaxhiri.

Për fatin e Krimesë, rol vendimtar do të luajë Ukraina.

“Gjithçka varet nga vullneti i Ukrainës për ta pranuar këtë dhe në çfarë formati politik, në çfarë dizajni politik do të bëhej kjo”, thotë Muhaxhiri.