Muhaxhiri: Nuk është realiste t’i kërkohet BE-së përshpejtimi i integrimit evropian para zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Artan Muhadžiri
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Artan Muhaxhiri konsideron se nuk është realiste që Prishtina t’i kërkojë Bashkimit Evropian t’i anashkalojë në procesin e integrimit evropian të Kosovës hapat që lidhen me dialogun me Beogradin, sepse rruga drejt Evropës, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, varet nga mënyra se si do t’i zgjidhin çështjet më urgjente.

Duke komentuar mesazhet që dëgjohen gjithnjë e më shpesh nga Prishtina – se Kosovës duhet t’i mundësohet të përparojë në procesin e integrimit pavarësisht nga Serbia, Muhaxhiri thotë se Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm t’i pranojë brenda kornizës së tij institucionale problemet që kanë Kosova dhe Serbia.

„Pa një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të jetë e mundur të ndërmerren hapa thelbësorë drejt Bashkimit Evropian, sepse ky është kriteri që ka përcaktuar BE-ja. Pra, kjo nuk varet nga Kosova apo Serbia, por është ajo që dëshiron Bashkimi Evropian, si edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, nuk mendoj se është realiste t’i kërkohet Bashkimit Evropian t’i përshpejtojë hapat e nevojshëm pa zgjidhur, para së gjithash, çështjet që janë urgjente, jetike dhe vendimtare për të ardhmen, sepse marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë vetëm me to, por do të ketë ndikim të madh në të gjitha rajonet“, deklaron Muhaxhiri për Kosovo online.

Ai shton se BE-ja nuk dëshiron të ketë brenda strukturës së saj edhe më shumë probleme sesa ato ekzistuese.

„Mendoj se është shumë jorealiste t’i kërkohet Bashkimit Evropian t’i anashkalojë këta hapa, sepse BE-ja ka investuar shumë në dialog dhe në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje përfundimtare historike. Nuk mendoj se do të tërhiqet dhe do ta ndryshojë qëndrimin në këtë drejtim. Pra, e gjithë kjo është vetëm populizëm dhe një qëndrim politik sipërfaqësor, i cili nuk ka asnjë ndikim real në agjendën e integrimit evropian“, përfundon Muhaxhiri.