BE: Kurti u zotua se çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit do të zgjidhet në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në

zastave
Burim: Kosovo Online

Bashkimi Evropian pret sqarime nga autoritetet e Kosovës në lidhje me shkresën më të fundit drejtuar Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut, thanë nga Brukseli për Kosovo online, duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit do të zgjidhet në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në.

Në përgjigje të pyetjes së portalit tonë për të komentuar deklaratën e rektorit të Universitetit në Prishtinë me seli në Mitrovicën e Kosovës, Nebojsha Arsiq, se persona të panjohur kishin shkuar në rektorat dhe kishin kërkuar që ndërtesa e Fakultetit të Shkencave Teknike të lirohet brenda 30 ditëve, nga Brukseli sqaruan se çështja e integrimit të strukturave shëndetësore dhe arsimore të mbështetura nga Serbia mund të zgjidhet ekskluzivisht përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Bashkimi Evropian pret sqarime nga autoritetet e Kosovës në lidhje me shkresën më të fundit drejtuar Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut. Kryeministri është zotuar se çështja e integrimit të strukturave shëndetësore dhe arsimore të mbështetura nga Serbia do ta zgjidhë në konsultim me serbët e Kosovës dhe me BE-në, veçanërisht me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Kosovo online.

Kujtojmë se rektori Arsiq konfirmoi për Kosovo online se më 10 shkurt persona të panjohur me rroba civile kishin ardhur në Rektoratin e Universitetit me kërkesë që Fakulteti i Shkencave Teknike të lirojë objektin brenda 30 ditëve ose të nënshkruajë kontratë me universitetin e Prishtinës.

“Të gjithë u befasuam në mënyrë të pakëndshme. Nuk e dimë nëse ishte policia, personat ishin me rroba civile. Sollën një dokument nga Universiteti i Prishtinës, ku thuhet se ndërtesa e Fakultetit të Shkencave Teknike ndodhet në një lokacion që i përket Universitetit të Prishtinës dhe kërkohet që brenda 30 ditëve fakulteti të largohet ose në një mënyrë të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me ta. Ne i shikuam edhe parcelat kadastrale ku ndodhet ndërtesa e Fakultetit të Shkencave Teknike. Ato janë ‘parcelat e Trepçës’ dhe ajo ndërtesë kurrë nuk ka qenë pronë e Universitetit të Prishtinës, madje as para luftës”, tha Arsiq.