Nikolić: Kurti e gjen përgjigjen në arrestimin e serbëve sa herë që përballet me dështime
Kryetarja e Komitetit për Kosovën dhe Metohinë në Kuvendin e Serbisë, Danijela Nikolliq, dënoi arrestimin e sotëm të serbëve në Kosovë, duke theksuar se kjo përbën vazhdim të persekutimit të hapur politik të popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit.
Nikolliq në deklaratë theksoi se Kurti, sa herë që përballet me probleme politike, dështime apo paaftësi për të siguruar një jetë normale për qytetarët, përgjigjen e gjen në arrestimin e serbëve.
“Kjo nuk është më çështje e sundimit të ligjit, por një fushatë e përgatitur më parë për frikësim dhe presion institucional me motive etnike ndaj popullit serb. Kurti nuk ka çfarë të ofrojë përveç forcës së armatosur, njësive speciale dhe proceseve të montuara. Në pamundësi për të ndërtuar besim dhe bashkëjetesë, ai përpiqet me forcë, arrestime dhe fabrikim akuzash të shtrembërojë realitetin dhe t’i paraqesë serbët si fajtorët e përhershëm për të gjitha problemet në Kosovë dhe Metohi”, ka deklaruar Nikolliq.
Ajo theksoi se është veçanërisht shqetësuese që këto aksione kryhen në mënyrë selektive, pothuajse rregullisht kundër serbëve, ndërsa krimet ndaj serbëve mbeten pa hetim, pa drejtësi dhe pa përgjegjës.
“Një veprim i tillë përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj çdo përpjekjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Është e qartë se qëllimi i këtyre arrestimeve është të mbillet frikë tek serbët, të përshpejtohet shpërngulja e tyre dhe të krijohet përshtypja se në Kosovë dhe Metohi nuk ka vend për popullin serb. Kjo është politikë persekutimi, jo politikë paqeje”, u shpreh Nikolliq.
Ajo kërkoi reagim urgjent nga bashkësia ndërkombëtare, BE-ja, EULEX-i, KFOR-i dhe të gjitha organizatat që kanë mandat për të mbrojtur paqen dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.
“Heshtja e tyre po bëhet bashkëfajësi në shkeljen e përditshme të të drejtave të serbëve. Populli serb në Kosovë dhe Metohi ka mbijetuar kohë shumë më të vështira se shfaqjet politike të Kurtit. Nuk e ka thyer as terrori i UÇK-së, nuk do ta thyejnë as prangat e Kurtit. Serbët do të mbeten dhe do të qëndrojnë në vatrat e tyre shekullore, ndërsa çdo përpjekje për t’i frikësuar vetëm sa konfirmon se Kurti është bërë simbol i politikës së urrejtjes, hakmarrjes dhe intolerancës etnike ndaj gjithçkaje që është serbe”, përfundoi Nikolliq.
0 komentet