Lista Serbe: Arrestimet e sotme të serbëve janë valë e re frikësimi dhe persekutimi
Lista Serbe njoftoi se arrestimet e sotme përbëjnë një valë të re frikësimi dhe persekutimi të serbëve në Shtërpcë dhe Gjilan, me qëllim krijimin e një atmosfere frike dhe presioni shtesë ndaj popullit serb.
“Arrestimet e sotme të serbëve të njohur dhe të ndershëm përfaqësojnë një valë të re frikësimi dhe persekutimi të serbëve në Shtërpcë dhe Gjilan përmes arrestimeve të pabazuara të bashkëkombësve tanë, të cilat kanë për qëllim krijimin e një atmosfere frike, pasigurie dhe presioni shtesë mbi popullin serb që ka mbetur të jetojë në vatrat e veta shekullore”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Nga kjo parti theksohet se është veçanërisht shqetësuese fakti që prej vitesh, pa prova të vlefshme, ndalohen dhe akuzohen njerëz që gjithë periudhën e pasluftës e kanë kaluar në Kosovë, ku kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, kanë rritur familjet dhe kanë jetuar para syve të të gjithëve.
“Ngrihet pyetja logjike – a beson vërtet dikush se një person që ka kryer ndonjë krim do të qëndronte të jetonte në të njëjtin vend, të ndërtonte familje dhe për më shumë se dy dekada të ishte i qasshëm për të gjitha institucionet?”, pyesin nga Lista Serbe.
Ata theksojnë se arrestimi dhe ndjekja penale e njerëzve të pafajshëm nuk është drejtësi dhe paralajmërojnë se veprime të tilla nuk do të sjellin paqe dhe as nuk do të kënaqin familjet e viktimave, por përkundrazi thellojnë mosbesimin dhe tensionet ndëretnike përmes keqpërdorimit të drejtësisë dhe qasjes selektive ndaj saj.
“Ajo që po shohim është dhunë e pastër institucionale dhe presion i motivuar politikisht ndaj popullit serb. Prishtina prej vitesh përmes këtyre veprimeve ka tentuar të krijojë një narrativë të rrezikshme sipas së cilës çdo serb që ka qenë i rritur në vitin 1999 mund të akuzohet pa asnjë bazë për krimet më të rënda. Një qasje e tillë nuk bazohet në ligj dhe prova, por në stigmatizimin kolektiv të një populli të tërë”, thekson Lista Serbe.
Në njoftim shtohet se shqetëson edhe heshtja e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët prej kohësh nuk reagojnë ndaj këtij persekutimi të serbëve.
“Prej atyre që kanë detyrë të mbrojnë të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe standardet e barabarta për të gjithë qytetarët, presim që më në fund të reagojnë dhe të dënojnë qartë veprime të tilla që rrezikojnë seriozisht sigurinë dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, porosit Lista Serbe.
Ata shtojnë se do të vazhdojnë të ofrojnë të gjithë ndihmën ligjore dhe institucionale për bashkëkombësit e tyre, siç thonë, të akuzuar padrejtësisht, duke kërkuar që të ndalet praktika e arrestimeve të pabazuara me të cilat serbët trajtohen si fajtorë paraprakisht vetëm pse janë serbë.
0 komentet