Pantoviq: Jam i gëzuar pjesërisht me uljen e dënimit të Pantiqit, do të paraqes kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë
Avokati i ish policit Dejan Pantiq, Ljubomir Pantoviq tha për Kosovo onlajn se është pjesërisht i gëzuar me vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës ku Pantiqit i’u ul dënimi nga dy në një vit burg dhe tha se do të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
“Jam pjesërisht i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit në pjesën që ka të bëjë me Dejan Pantiqin ku ulet dënimi nga dy vjet në një. Pjesërisht sepse nuk egzistonte asnjë provë që ai ishte fajtor për veprën që akuzohej. E njëjta ka lidhje dhe me të pandehurit Milenkoviq dhe Vllajiq të cilët u dënuan pa prova.
Fatkeqësisht, gjykatat kosovare vazhdojnë të dënojnë të pandehurit ndonëse nuk ka prova që mbështesin fajësinë e tyre. Dhe ky vendim është një tjetër provë për këtë”, tha Pantoviq.
Avokati i Dejan Pantiqit tha se në Gjykatën e Lartë të Kosovës do të paraqesë mjet të jashtëzakonshëm juridik-kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe se këtë do t’a bëjnë dhe avokatët mbrojtës të Millun Milenkoviqit dhe Aleksandar Vllajiqit.
“Nuk kemi të drejtë ankimim, por kemi të drejtë për mjet të jashtëzakonshëm juridik-kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, e cila paraqitet në Gjykatën e Lartë të Kosovës. Unë këtë kërkesë do t’a paraqes dhe besoj se këtë do t’a bëjnë dhe kolegët e mi që mbrojnë Millenkoviqin dhe Vllajiqin”, tha avokat Pantoviq.
Gjykata e Apelit të Kosovës në Prishtinë njoftoi më herët sot se uli dënimin nga dy në një vit burg për ish policin Dejan Pantiq, ndërsa hodhi poshtë ankesat e Millun Milenkoviqit dhe Aleksandar Vllajiqit.
Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi më 28 korrik të vitit të kaluar Millun Milenkoviqin dhe Aleksandar Vllajiqin me nga pesë vite burg për “kryerjen e veprave terroriste”, ndërsa Dejan Pantiq u shpall fajtor për veprën penale të “huliganizmit”, për të cilin u dënua me dy vite burg, ndërsa Miomir Vakiq u lirua nga akuzat.
komentet