Gjykata e Apelit i ul dënimin Pantiqit, ndërsa refuzon ankimimin e Milenkoviqit dhe Vllajiqit
Gjykata e Apelit të Kosovës në Prishtinë informon se uli dënimin nga dy në një vit burg për ish policin Dejan Pantiq, ndërsa refuzoi ankimimin e Millun Milenkoviqit dhe Aleksandar Vllajiqit.
Pantiq, Milenkoviq dhe Vllajiq në shkallën e parë u dënuan për sulm ndaj zyrës së Komisionit Zgjedhor Komunal në Mitrovicën e Veriut në vitin 2022.
Pantiq u dënua me dy vite burg për “huliganizëm“, ndërsa Gjykata e Apelit i’a uli në një vit. Milenkoviq dhe Vllajiq u dënuan me nga pesë vite burg për veprën penale të “terrorizmit“. Ankimimi i tyre për ulje të dënimit, u refuzua nga Gjykata e Apelit.
“Gjykata e Apelit të Kosovës refuzoi si të pabazuar ankimimin ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe ankimimin e avokatit të të pandehurit M.M. dhe A.V. ndërsa konfirmon vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës-Sektorin Special. Ndërkohë miratoi jo plotësisht ankimimin e avokatit të të pandehurit D. P. duke ndryshuar vendimin vetëm në pjesën që lidhet me vendimin për dënimin. Të pandehurit D. P. i’u bë e ditur dënimi me burg me afat një vit ku në të do të kalkulohet dhe koha e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, ndërsa në pjesën tjetër ankesa e mbrojtjes u refuzua si e pabazuar” shkruhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi më 28 korrik të vitit të kaluar Millun Milenkoviqin dhe Aleksandar Vllajiqin me nga pesë vite burg për “ndërmarrjen e akteve terroriste”, ndërsa Dejan Pantiq u shpall fajtor për veprën penale të “huliganizmit“, për të cilën u dënua me dy vite burg, ndërsa Miomir Vakiq u lirua nga akuzat.
Sipas aktakuzës, Milenkoviq, Pantiq, Vakiq dhe Vllajiq, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, kryen sulm terrorist në ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor të vitit 2022, ku gjatë protestave të sërbëve, u hodhën dy granata dore dhe dy bomba shokuese.
Për pasojë, sikurse bëhet e ditur në aktakuzë, jeta e njerëzve u rrezikua.
Avokatët mbrojtës të Millun Milenkoviqit dhe Aleksandar Vllajiqit Miodrag Bërkljaç dhe Millosh Deleviq më 28 prill të këtij viti, para Gjykatës së Apelit në Prishtinë speguan ankesat e paraqitura ndaj vendimit të shkallës së parë dhe theksuan se ai është plot me shkelje të rëndësishme të procedurës penale dhe se është dhënë pa prova, bazuar vetëm në supozimin e një dëshmitari, ndaj duhet të ndryshohet apo shfuqizohet.
komentet