Pavkoviq: Po krijohet një shkurtore për hyrjen e Kosovës në KE, Serbia ndihet e mashtruar
Millosh Pavkoviq, hulumtues në Qendrën për Politika Evropiane vlerësoi se votimi i djeshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dërgoi mesazh që të krijohet një rrugë e shkurtër për hyrjen e Kosovës në KE para se të përmbushen obligimet nga marrëveshja, në radhë të parë formimi i BKS-së.
Pavkoviq tregon për Kosovo online se Këshilli i Evropës është një hap i madh për Prishtinën.
“Mesazhet e dërguara Beogradit dhe Prishtinës janë të dyfishta. Konkretisht për Prishtinën është dërguar mesazh se këto vende që votuan “po” mbështesin fuqishëm afirmimin ndërkombëtar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe Këshilli i Evropës është një hap i madh për Kosovën në aspektin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe do të thosha në një farë mënyre lob për një anëtarësim të ardhshëm në BE”, tha Pavkoviq.
Serbia, shton Pavkoviq, ndihet e mashtruar.
“Sa i përket Serbisë, natyrisht, ajo nuk është e kënaqur me këtë vendim, së pari qëndrimi i Serbisë është që Kosova të mos jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare, në radhë të parë në OKB, por e shohim edhe Këshillin e Evropës, dhe e dyta është se Serbia ndjen e mashtruar dhe e tradhtuar disi nga partnerët e saj perëndimorë, duke pasur parasysh se në një farë mënyre ka marrë një premtim joformal se Kosova nuk do të pranohet në KE para se të zbatojë obligimet nga marrëveshja, kjo para së gjithash i referohet formimit të BKS-së. Tash po shohim se në një farë mënyre po i krijohet një shkurtore për Kosovën, që ajo hyn në KE edhe para se të plotësohen kushtet”, tha ai.
Hapi tjetër për Prishtinën është Komiteti i Ministrave, i cili është caktuar për 16 dhe 17 maj, megjithatë, Pavkoviq thekson se Serbia kishte më shumë “hapësirë për manovrim” në APKE.
“Në Asamblenë Parlamentare, deputetët e vendeve të tyre nuk votojnë domosdoshmërisht sipas çelësit kombëtar dhe nuk ndjekin qëndrimet e qeverisë së tyre, kështu që Serbia kishte hapësirë që të zgjidhte më shumë deputetë individualisht, por përfundoi e pasuksesshme. Kur flasim për Komitetin e Ministrave, mendoj se ka më pak hapësirë për manovrim, pra nuk ka vend për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës. Tani ka vend për manovrim vetëm në kuptimin që eventualisht përmendet një nga shtetet anëtare, Franca, e shtyn këtë vendim, dmth. për ta hequr nga rendi i ditës i Komitetit të Ministrave të planifikuar për datat 16 dhe 17 maj”, thekson ai.
Ai nuk është i befasuar as nga votimi i deputetëve në APKE.
“Kushdo që ndjek punën e kësaj organizate ndërkombëtare, e di se deputetët që ulen në KE, deputetët në Asamblenë Parlamentare, nuk janë domosdoshmërisht përfaqësues të koalicionit qeverisës në shtetet e tyre. Pra, atje kemi parti opozitare që mund të kenë qëndrim të ndryshëm në raport me qëndrimin formal të qeverisë së tyre. Prandaj them se mund të ketë pasur hapësirë për manovra që Serbia të përpiqet në nivel individual, personal, të fitojë më shumë deputetë. Kemi pasur përfaqësues nga vendet që e njohin dhe janë partnerë të fortë të Kosovës, si Gjermania, Franca... që votuan kundër këtij vendimi dhe nga ana tjetër kishim një surprizë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën si Greqia, Rumania, Armenia, të cilat e votuan këtë vendim, kështu që kishte surpriza nga të dyja palët, por fatkeqësisht diplomacia serbe nuk arriti të krijojë më shumë befasi dhe ta bllokojë këtë vendim”, ka përfunduar Pavkoviq.
komentet