Petkoviq: 3.47 për qind e votuesve kanë dalë në zgjedhjet në veri të Kosovës - vetëm 13 serbë

Petar Petković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, ka njoftuar sonte se në zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës kanë marrë pjesë 1566 shqiptarë dhe vetëm 13 persona të nacionalitetit serb, që është 0.029 për qind e serbëve në veri të Kosovës.

“Albin Kurti dhe të gjithë ata që me muaj thirrën zgjedhjet me qëllim të pushtimit të veriut përjetuan një fiasko dhe fituesi i vërtetë është populli serb që i bojkotoi plotësisht këto zgjedhje. Kjo është edhe humbje për atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështetën Kurtin në organizimin e votimit”, tha Petkoviq në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë.

Ai theksoi se në zgjedhjet antidemokratike, të mbajtura në kontejnerë dhe të ruajtura nga policia e Kosovës me arma të gjata, në çdo mënyrë u përpoqën ta detyrojnë popullin serb të shkojë në qendrat e votimit dhe të pushtojë tërë veriun e Kosovës me atë proces zgjedhor.

“Dhe pjesëmarrja ishte vetëm 3,47 për qind”, theksoi Petkoviq.

Ai tregoi se numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 45.095, 1.000 më shumë se në zgjedhjet e kaluara.

Ai po ashtu ka thënë se në këto zgjedhje votuan 449 shqiptarë më pak se në ato të mëparshme, çka, shton ai, tregon se edhe ata i bojkotuan këto zgjedhje.

“Pa popullin serb, pa Beogradin, është e pamundur të normalizohen të gjitha marrëdhëniet, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme”, tha Petkoviq.

Petkoviq tha se serbët e treguan unitetin e tyre duke bojkotuar zgjedhjet dhe se nuk ka normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pa formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, duke vlerësuar se Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe të tjerët që ftuan për zgjedhjet e sotme kanë përjetuar një humbje, një fiasko dhe se fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është populli serb në Kosovë.

Petkoviq në konferencën për shtyp theksoi se ajo që serbët dhe përfaqësuesit politikë të serbëve kanë thënë gjatë gjithë kohës është realizuar, përkatësisht se populli serb nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje në këto kushte.

“Shumë gjëra kanë ndodhur kur është fjala për refuzimin e formimit të BKS-së dhe ndalimin e targave KM, dhe baza ilegale të ROSU-së, si dhe arrestime, pushkatime, shpronësime ilegale...”, tha Petkoviq, duke theksuar se e gjithë kjo ndodh pothuajse çdo ditë, dhe komuniteti ndërkombëtar e shikon nëpër gishta.

Duke theksuar se pikërisht kjo ka ndikuar në rezultatin e sotëm, Petkoviq ka falënderuar popullin serb për qetësinë.

Siç ka thënë ai, nuk ka pasur incidente dhe mund të dëgjohet ditë para zgjedhjeve se sigurisht do të ketë sepse nga Prishtina po flisnin se populli serb ishte kriminel dhe i dhunshëm.

“Përkundrazi, ata qëndruan në shtëpitë e tyre, edhe pse në Leposaviq kishte një dasmë, kështu që serbët i treguan qartë Kurtit se toka në të cilën jetojnë është serbe dhe do të mbetet e tillë. Kurti ka dashur ta detyrojë popullin serb të votojë për pushtuesit në kontejnerë, por doli që serbët e dërguan Kurtin në kontejnerin politik, po ashtu sot u tregua se sa më shumë që Prishtina përpiqet të robërojë popullin serb, aq më e fortë është dëshira e popullit tonë për të luftuar për liri”, tha drejtori i Zyrës qeveritare.

Ai shtoi se i gjithë populli serb ka mbetur i bashkuar dhe se ka qëndruar pranë presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Serbisë dhe ka treguar se ka besim tek ata.

“Të gjithë ata që thanë se njëra është Lista Serbe dhe tjetra është populli serb, tani kanë rezultuar se në fakt janë një. Ne e përkrahëm vendimin e tyre sepse nuk do të lejojmë askënd të shkelë popullin serb. Nuk ka më rrugën e normalizimit të marrëdhënieve pa formimin e BKS-së, që u konfirmua edhe në këto zgjedhje, as edhe një hap më tutje sepse këtë po e kërkon populli serb në Kosovë e Metohinë”, ka theksuar ai.

Petkoviq tha se duhet të turpërohen veçanërisht përfaqësuesit e OSBE-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare që lejuan që ky proces të zhvillohet në kontejnerë bosh, duke thënë se serbët kanë treguar se pa ta zgjedhjet nuk kanë kuptim.

Ai thekson se Kurti ka dashur të shfrytëzojë procesin zgjedhor për të dëbuar tërë popullin serb dhe këtë e kanë përkrahur disa përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, duke mos thënë se kemi 10 vite që presim formimin e BKS-së.

Ai thekson se në vend të BKS-së, Kurti është shpërblyer me liberalizimin e vizave, mbështetjen për zgjedhjet dhe fillimin e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ai tha se pa serbët, popullin serb, pa Beogradin, normalizimi i marrëdhënieve është i pamundur dhe se ai duhet të jetë ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet e mëparshme.

“Ne nuk po kërkojmë asgjë që nuk është nënshkruar”, tha ai.

Petkoviq po ashtu ka theksuar se nga 19 vendvotime ka edhe ato ku askush nuk ka dalë të votojë, siç janë tri në Zubin Potok, dy në Zveçan dhe një në Leposaviq.

Petkoviq u tha serbëve nga Kosova se Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq do të ruajnë paqen dhe stabilitetin në krahinën jugore dhe do të luftojnë për gjithçka që duhet që të mundësojë jetën dhe mbijetesën e popullit serb.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai u tha serbëve se kur të na sulmojnë ne jemi edhe më të fortë dhe më të bashkuar dhe se Beogradi do të insistojë në marrëveshjet e nënshkruara.

“Pa këtë, pa BKS-në, populli serb ka treguar se nuk ka përparim në normalizimin e marrëdhënieve dhe Kurti dhe ata që e mbështesin atë përjetuan një debakli të vërtetë”, ka përsëritur Petkoviq.

I pyetur se çfarë duhet të bëjnë serbët nesër, drejtori i Zyrës qeveritare ka thënë të njëjtën gjë që kanë bërë edhe ditët e kaluara.

“Të luftojnë së bashku me Presidentin Vuçiq dhe vendin e tyre Serbinë për paqen dhe një të nesërme më të mirë”, tha ai.

I pyetur nëse ai personalisht u ka thënë përfaqësuesve të OSBE-së se duhet të kenë turp, duke pasur parasysh se së fundmi ka pasur një takim me shefin e delegacionit të asaj organizate nga Kosova, Petkoviq ka thënë se edhe Majkl Davenportit i ka thënë se nuk kanë hequr një gisht kur Kurti i ndaloi zgjedhjet dhe referendumin në Kosovë, e tani janë tërhequr dhe kanë lejuar ROSU-n me arma të gjata të ruajë fletët e votimit.

Ai pyeti nëse kjo është një demokraci që duhet promovuar në mbarë botën.

Është dërguar mesazh bashkimi, harmonie dhe qëndrimi i qartë i serbëve nga Kosova

I pyetur se çfarë mesazhi është dërguar sot, para vazhdimit të dialogut në nivelin më të lartë, më 2 maj në Bruksel, Petkoviq është përgjigjur se është dërguar mesazhi i unitetit, harmonisë dhe qëndrimit të qartë - se populli serb në veriu i Kosovës i beson vetëm presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili, thotë ai, nëse shkon në Bruksel më 2 maj, si çdo herë, do të tregojë se me të gjitha forcat e tij mbron popullin serb, paqen dhe stabilitetin.

“Normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për ne, por pa Bashkësinë e Komunave Serbe nuk do të mund të ecim përpara, jo sepse nuk e duam, por sepse është parim, mendoj i Bashkimit Evropian, që është garantuese e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve dhe e cila nuk ka bërë asgjë”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se në Bruksel duhet të diskutohen hapat konkretë, që Ekipi Menaxhues të prezantojë draftin e statutit që është përgatitur, i cili i është dërguar Bashkimit Evropian në vitin 2019 dhe i cili është në pritje të ftesës për të prezantuar rezultatet e punës së tij.

"Kanë kaluar pesë vjet dhe BE-ja nuk u kujtua t'i përgjigjet atij email-i", theksoi Petkoviq dhe shprehu shpresën se në raundin e ardhshëm të dialogut kjo do të jetë tema kryesore.