Petkoviq: Arrestimi i Pantiqit në Jarinjë, kundërpërgjigje dhe frikësimi brutal e Kurtit
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, ka thënë se arrestimi i sotëm i ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, është një kundërpërgjigje dhe frikësim brutal nga Albin Kurti.
"Pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Kurtit kanë arrestuar Dejan Pantiqin në vendkalimin administrativ Jarinjë, ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, i cili është larguar nga ky institucion më 5 nëntor së bashku me kolegët e tij dhe i cili deri atëherë ka qenë i punësuar në stacionin policor në Mitrovicë e Kosovës", tha Petkoviq.
Ai shtoi se Pantiq dhe gruaja e tij sot në mëngjes kanë shkuar në Rashkë për të kryer disa detyra private, kanë kaluar normalisht kalimin dhe gjatë kthimit policët e Kurtit i kanë vënë prangat dhe sipas informacioneve të fundit e kanë dërguar në bazën e Policisë së Kosovës pranë vendkalimit.
"Bëhet fjalë për kundërpërgjigje dhe frikësim brutal nga Albin Kurti, i cili vendosi të përsekutoj tani policët serbë të cilëve, pa asnjë bazë apo provë, po përpiqet t'u atribuojë akte me të cilat nuk kanë lidhje, për të tentuar të frikësojë të gjithë serbët të cilët nuk duan të vuajnë terrorin e tij dhe shkeljen e marrëveshjes. Me këtë Kurti dëshiron t'u hakmerret për largimin nga të gjitha institucionet në veri, përfshirë edhe policinë", thotë Petkoviq.
Ai shton se e ka njoftuar Mirosllav Lajçakun për këtë përdorim brutal të forcës, hakmarrje dhe frikësimi, si dhe se do t'i informojë të gjithë përfaqësuesit përkatës ndërkombëtarë me një kërkesë të qartë që hakmarrja ndaj serbëve duhet të ndalet menjëherë dhe serbëve t'u garantohet siguria.
"Pas pushtimit dhe dërgimit të njësive të tij të armatosura deri në dhemb në Mitrovicë e Kosovës, dërgimit të automjeteve të blinduara të ROSU në kopshtin e Leposaviqit, të forcave speciale me gisht në këmbëzë në Hoçë të Madhe, tani Kurti ka filluar me arrestimin e serbëve të pafuqishëm për t'i detyruar t'i binden atij dhe të kthehen në institucionet e tij", tha Petkoviq.
Petkoviq thekson se është e qartë se "Kurti dëshiron trazira, incidente, një krizë të re dhe kaos, sepse vetëm kështu ushqehet dhe kështu mbijeton në pushtet, por nuk do të ketë sukses. Serbët nuk do të jenë pëllumba balte të lëvizjeve të tij të çmendura, le të bindet për këtë".
komentet