Petkoviq: BKS është kusht i domosdoshëm për mbijetesën e serbëve, pa të nuk ka dialog

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, thotë se mohimi i obligimit të Prishtinës për të lehtësuar formimin e BKS-së, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit, është shkatërrimi më i drejtpërdrejtë i dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënievE me Beogradin, por mbi të gjitha është vazhdimësi e politikës së persekutimit dhe spastrimit etnik të serbëve nga territori i Kosovës.
Petkoviq, lidhur me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nuk është obligim i tij formimi i BKS-së, ka thënë se shtrohet pyetja se cili është obligimi i Kurtit atëherë.
“A është obligim i tij persekutimi i serbëve dhe pushtimi i veriut, pasi siç duket obligimet nga dialogu nuk ekzistojnë për Kurtin”, ka pyetur Petkoviq.
Siç theksoi ai, BKS është kusht i domosdoshëm për mbijetesën e serbëve.
“Pa themelimin e saj nuk mund të ketë dialog produktiv, sepse serbët në Kosovë dhe Metohi aktualisht nuk kanë as parakushtet minimale për një jetë normale dhe janë në mëshirë të regjimit të dhunshëm të Albin Kurtit. Nuk është e palogjikshme që Kurti mashtron ndërkombëtarët dhe i shmanget zbatimit të obligimeve që Prishtina i kishte marrë gati 12 vjet më pare, sepse dikush, programi politik i të cilit është çrrënjosja e serbëve, as nuk mund të pritet të ndërmarrë hapa që në asnjë mënyrë do të mbrojnë dhe forcojnë të drejtat politike dhe njerëzore të popullit serb”, tha Petkoviq.
Ai thekson se Serbia me muaj ka paralajmëruar se fushata e dhunës së Kurtit ndaj popullit serb është diçka që çon në drejtim të kundërt drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe se çdo gjë në dialogun e deritanishëm po anulohet hapur. Megjithatë, siç shton ai, nuk ka pasur asnjë reagim efektiv nga partnerët ndërkombëtarë.
“Procesi i destabilizimit po shpaloset para syve të komunitetit ndërkombëtar, i cili mund të ketë pasoja të paparashikueshme, prandaj është e nevojshme që partnerët ndërkombëtarë të ndërmarrin hapa konkretë dhe të ndalojnë veprimet destruktive të Kurtit, i cili mesa duket nuk reagon ndaj dënimeve të buta në njoftimet sporadike të Quint-it”, tha Petkoviq.
0 komentet