Petkoviq: BKS është shtylla kurrizore e dialogut, është e çuditshme që edhe 10 vjet pas Marrëveshjes së Brukselit po themi se Prishtina duhet ta formojë atë
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, ka theksuar sot se edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, Prishtina ende refuzon të përmbushë obligimin e saj kryesor – formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, dhe se komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi të veçantë për një situatë të tillë.
Petkoviq tha për RTS se BKS është një kusht i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta dhe është sjellë në mënyrë konstruktive dhe komprometuese gjatë gjithë kohës, ndërsa nga ana tjetër, Prishtina vazhdimisht po përpiqet të pengojë dialogun dhe t'ua vështirësojë jetën serbëve në Kosovë, që mund të shihen përmes incidenteve të vazhdueshme. Kur shikoni gjithçka që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, një përgjegjësi e veçantë ka komuniteti ndërkombëtar, i cili është i detyruar të bëjë presion mbi themelimin e BKS-së. BKS përfaqëson shtyllën kurrizore të dialogut”, nënvizoi ai.
Petkoviq tha se Serbia përmes Bashkësisë së Komunave Serbe dëshiron t'i sigurojë të drejtat kolektive, individuale dhe të gjitha të drejtat e tjera, të cilat u janë garantuar serbëve në Kosovë me marrëveshje të mëparshme.
Ai përkujtoi se Marrëveshja e Brukselit është ratifikuar në Kuvendin e Prishtinës, prandaj është obligim ndërkombëtar për Kosovën.
“Është vërtetë e çuditshme që ne ende po flasim për faktin se Prishtina duhet të formojë BKS-në. Nëse shikoni retorikën në Prishtinë, mund të shihni se nuk duan ta formojnë atë. Ata thonë se ndoshta mund të formohet, por se do të jetë një lloj guaska pa përmbajtje, dhe neve na intereson vetëm ajo që është dakorduar përmes katër marrëveshjeve për BKS dhe parimet, në të cilat është thënë qartë se çfarë struktura është, cilat janë përgjegjësitë dhe cilat janë mënyrat e financimit”, shpjegoi Petkoviq.
Ai tha se sot është momenti kur duhet të turpërohen të gjithë ata që e drejtuan gishtin në Beograd, duke thënë se Beogradi duhet të përmbushë diçka, por nuk ushtruan presionin e duhur ndaj Prishtinës.
Gjithçka që po bën Kurti tregon qartë se ai nuk dëshiron të formojë BKS-në, por dëshiron vetëm kriza, trazira dhe në fund të fundit dëbimin e serbëve nga Kosova, ka theksuar Petkoviq.
Ai përkujtoi se nga ardhja e Kurtit në pushtet janë regjistruar 312 incidente, çka flet qartë për klimën në Kosovë dhe qëndrimin e Prishtinës ndaj serbëve.
Lidhur me këtë, ai vuri në dukje bazat ilegale të policisë speciale në veri, si dhe faktin se ROSU i ngacmon serbët çdo ditë duke qëlluar në njerëz të pafajshëm.
Kjo përballje me dhunën institucionale të Prishtinës tregon qartë se Kurti nuk e dëshiron procesin e normalizimit të marrëdhënieve, tha Petkoviq.
Ai tha se vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave është një shpërblim për Kurtin.
“Ne nuk kemi asgjë kundër liberalizimit të vizave, kemi thënë se liria e lëvizjes është e nevojshme, por problemi është se Kurti dje është shpërblyer drejtpërdrejt me këtë vendim. Për çfarë është kjo? Për dëbimin e serbëve, për gjenerimin e krizave? Është e njëjta histori për Këshillin e Evropës", tha ai.
Petkoviq ka thënë se në përpjekjen që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, rol kyç në radhë të parë ka Gjermania, e cila e mbështet Prishtinën në të gjitha proceset, duke iu referuar disa marrëveshjeve dhe aranzhimeve që nuk ekzistojnë.
Ai shpjegoi se Gjermania i referohet versioneve të marrëveshjes së Ohrit që presidenti Aleksandar Vuçiq i hodhi poshtë, ku thuhej se Serbia nuk do të pengonte anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Ata i referohen diçkaje që nuk pranohet dhe të njëjtën gjë po e bën edhe opozita në Beograd”, tha Petkoviq.
Ai përsëriti se BKS është kusht kyç për procesin e mëtutjeshëm të normalizimit, dhe theksoi se ajo që është rënë dakord në Ohër nënkupton se obligimi i parë është formimi i BKS-së - obligim i Prishtinës.
“Në vend të kësaj kemi shpërblime të ndryshme që vijnë për Kurtin. Kjo nuk është për formimin e BKS-së, sepse ai nuk do kompetenca thelbësore të BKS-së, por për ta ulur atë në nivelin e një organizate joqeveritare. Dhe pse kemi udhëtuar për në Bruksel me vite dhe kemi bërë marrëveshje?”, pyeti Petkoviq.
Ai tha se Beogradi insiston që gjithçka që është rënë dakord duhet të respektohet.
I pyetur nëse BKS do të jetë në tryezë më 2 maj, në raundin e ardhshëm të dialogut në nivelin më të lartë, Petkoviq tha se është rënë dakord që raundi tjetër t'i kushtohet BKS-së, për të hyrë në hapat më konkretë të themelimin e saj.
“Por siç është rënë dakord me katër marrëveshjet, jo siç dëshiron Kurti. Hapi i parë është që Ekipi Menaxhues të paraqesë një draft të statutit, i ndjekur nga një diskutim mbi draftin e propozuar. Statuti duhet të përmbajë të gjitha dispozitat që përmban parimet e përgjithshme nga viti 2015. Për këtë do të insistojmë”, theksoi ai.
Petkoviq tha se pa BKS është e pamundur të diskutohet për ndonjë gjë tjetër.
“Në vend që të shkojmë drejt normalizimit, Kurti të mërkurën do të takohet me kandidatët e tij për kryetar të katër komunave në veri dhe tregon se si do të fitojnë. A është kjo demokraci? Si ka mundësi që dy për qind e shqiptarëve të sundojnë mbi 98 për qind të popullsisë në veri?”, tha ai.
Kurti, thekson ai, dëshiron të jetë de facto kryetar komune në veri, që mund të thotë se këto nuk janë komuna serbe sepse drejtohen nga shqiptare, pra nuk ka nevojë për BKS.
“Ai do të përpiqet të bëjë gjithçka për të parandaluar formimin e BKS-së dhe ne do t'i përmbahemi letrës së marrëveshjes. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për popullin serb, të insistojmë që të formohet BKS dhe garantuesi i një politike të tillë është presidenti Vuçiq”, theksoi Petkoviq.
Ai tha se populli serb i beson vetëm shtetit të Serbisë dhe asaj që ai bën dhe përkujtoi programin investues prej 30 milionë eurosh për të cilin është rënë dakord në takimin e fundit me serbët në Rashkë.
0 komentet