Petkoviq: Bombat në shtëpitë e përfaqësuesve të Listës Serbe në Ranillug janë frikësim brutal

Petar Petković
Burim: Kosovo Online

Gjatë natës në Anamoravë e Kosovës janë hedhur tri bomba në shtëpitë e përfaqësuesve dhe drejtuesve të Listës Serbe, ka bërë të ditur sot drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, dhe vlerësoi se incidenti ka ndodhur për të frikësuar njerëzit dhe për t'i detyruar ata të largohen nga shtëpitë e tyre, të gjitha me qëllim të spastrimit etnik të serbëve, të cilin Albin Kurti po e kryen vazhdimisht.

“Së pari, rreth orës 02:30, një bombë është hedhur në oborrin e Srgjan Ristiqit në Ranillug, drejtori i institucionit parashkollor “Bletëza Maja”. Janë shkaktuar dëme të shumta materiale, por fatmirësisht familjarët janë mirë. Në të njëjtën kohë, një bombë është hedhur në shtëpinë e familjes dhe garazhin e Vlladica Aritonoviq në fshatin Gllogoc, i cili është nënkryetar i komunës së Ranillugut. Edhe këtu janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe nga sulmi nuk ka të lënduar. Gjatë natës një mjet shpërthyes është hedhur edhe në shtëpinë e Zoran Ristiqit nga Ranillugu, drejtor i Qendrës për Punë Sociale, por nuk ka pasur shpërthim”, ka bërë të ditur Petkoviq në deklaratë.

Ai vuri në dukje se bëhet fjalë për “frikësim brutal të përfaqësuesve të Listës Serbe, të cilët erdhën vetëm pak ditë pas kërcënimeve të Albin Kurtit se serbët dhe Lista Serbe ‘do të vuajnë dhe do të paguajnë’”.

Kurti, thekson ai, filloi ta realizojë idenë e tij duke arrestuar fillimisht tre serbë, dhe tani janë hedhur bomba në tre shtëpi serbe.

“Ne presim që këto sulme kërcënuese ndaj përfaqësuesve të Listës Serbe të merren seriozisht dhe të hetohen, sepse dërgojnë mesazh të qartë dhe kërcënim për serbët që të largohen nga vatrat e tyre shekullore. Zyra do t'i informojë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për këto sulme të sinkronizuara dhe të planifikuara, sepse aktet e tilla me shenja terrorizmi nuk duhet të merren lehtë”, porositi Petkoviq.