Petkoviq: Duke sulmuar LS, Rode po përpiqet të mbulojë mungesën e demokracisë dhe kushteve të drejta zgjedhore në Kosovë
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode, se është për keqardhje që Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri, dhe theksoi se ambasadori gjerman po përpiqet të mbulojë çdo mungesë të demokracisë dhe kushteve të drejta zgjedhore në Kosovë e Metohi duke sulmuar LS.
Petkoviq në rrjetin social “X” ka theksuar se duhet të merren parasysh kushtet e pamundura për referendum që u janë vënë serbëve.
“Zoti Rode, a i keni parë kushtet e pamundura për referendum që u janë vënë serbëve, apo nuk ju intereson kjo? E vetmja gjë për të ardhur keq është se me sulmin tuaj ndaj LS-së po përpiqeni të mbuloni çdo mungesë demokracie dhe kushte të ndershme zgjedhore në Kosovë dhe Metohi”, tha Petkoviq.
Ai përkujton se Rode ka përkrahur edhe kryetarët shqiptarë që kanë ardhur në atë pozitë me vetëm 3.5 për qind të votave, duke theksuar se asnjëherë nuk ka reaguar ndaj presioneve ndaj të cilave është i ekspozuar populli serb në veri.
“Asnjëherë nuk keni folur për presionin e Kurtit ndaj serbëve, keni përkrahur kryetarët e rrejshëm në veri dhe është e qartë se me qëndrimin tuaj po i përkrahni edhe tani. Ku keni parë që komuna të drejtohet me 3.5 për qind të votave, sigurisht që nuk e keni parë në Gjermani”, ka përfunduar Petkoviq.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode, ka thënë më herët gjatë ditës së sotme se i vjen keq për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave në katër komuna në veri të Kosovës dhe se është i shqetësuar për atë vendim.
“Është për të ardhur keq që Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në votimin e 21 prillit. Më duhet të them se jam i shqetësuar që Lista Serbe sërish ka vendosur të mos marrë pjesë në votim. Këtu është një rast i qartë i presionit edhe një herë mbi qytetarët e veriut që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, ka thënë Rode në një përgjigje me shkrim për Kosovo online.
0 komentet