Petkoviq i dërgoi një shkresë EULEX-it: Ekspertët ndërkombëtarë dhe një ekspert serb të marrin pjesë në autopsi
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, i ka dërguar një shkresë shefit të Misionit të EULEX-it, Pietro Barban, në lidhje me zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tre personave të nacionalitetit serb para disa ditësh në Banjskë.
Në shkresë, kërkohet që të mundësohet autopsia e trupit që do të kryhet në Prishtinë, ku të marrë pjesë një ekip i pavarur i ekspertëve ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore, duke përfshirë të paktën një ekspert të deleguar nga pala serbe.
“Ju drejtohemi me një kërkesë shumë të rëndësishme lidhur me përcaktimin e rrethanave të vdekjes së tre personave të nacionalitetit serb, të cilët humbën jetën në ngjarjet tragjike të 24 shtatorit 2023, në qytetin e Banjskës në veri të Kosovës dhe Metohisë. Duke pasur parasysh se jemi informuar se autopsia e trupit do të bëhet në ditët në vijim dhe se nuk është kryer deri në momentin e shkrimit të kësaj shkresë, kërkojmë që të lejoni një ekip të pavarur të ekspertëve ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore që të marrin pjesë në autopsinë që do të kryhet në Prishtinë, brenda të cilit do të ishte së paku një ekspert i deleguar nga pala serbe”, thuhet në shkresë.
Shtohet se përmbushja e kësaj kërkese është e një rëndësie jetike "për të vërtetuar në mënyrë të besueshme dhe transparente rrethanat e vuajtjes së personave të kombësisë serbe, për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara se janë likuiduar brutalisht pasi janë dorëzuar. Ky fakt është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e të vrarëve Igor Millenkoviqit”.
“Në rast se nuk mundësoni ekzekutimin e kësaj kërkese, ju kërkojmë që të siguroni kushtet që një ekip i pavarur i ekspertëve ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore, duke përfshirë të paktën një ekspert të deleguar nga pala serbe, të bëjë autopsi speciale. Me këtë, dhe duke pasur parasysh fushëveprimin e juridiksionit tuaj si dhe ndjeshmërinë e rrethanave në të cilat ndodhi vdekja, si dhe indikacionet e treguara se persona të caktuar u vranë nga afër pasi iu hoq liria, dhe se snajperët janë përdorur gjithashtu, kërkojmë që të veproni urgjentisht ndaj kërkesës sonë dhe të siguroni transparencën e hetimit për rrethanat në të cilat ka ndodhur vdekja”, përfundohet në shkresën dërguar kreut të EULEX-it.

komentet