Petkoviq: Kurti vazhdon me politikën e dhunës ndaj serbëve
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, thotë se me sulmin e sotëm të dhunshëm në qendrat e punës sociale në të katër komunat në veri, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka goditur drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe më të cenueshme të serbëve, përfitues të beneficioneve të ndryshme sociale.
“Me këtë lëvizje të përshkallëzuar, Kurti vazhdoi politikën e tij të dhunës ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi”, theksoi Petkoviq.
Ai shtoi se bëhet fjalë për gati 9 mijë shfrytëzues të ndihmës sociale, shtesave për fëmijë, ndihmës së njëhershme, ndihmës dhe përkujdesjes së një personi tjetër, për të cilët këto të ardhura janë jetike.
“Nervozizmi i Kurtit është i dukshëm për shkak të debaklit të tij zgjedhor, por edhe kritikave në rritje nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA, ndaj regjimit të Kurtit dhe atij personalisht. Ky sulm ka për qëllim edhe pengimin e fitores së Listës Serbe, me synimin e qartë për t'i hequr një mandat. Natyrisht që Kurtit nuk i mjaftoi numërimi i votave për 11 ditë dhe manipulimi i hapur i rezultateve, por tani ai po përdor edhe institucionet serbe për të krijuar konfuzion shtesë”, tha Petkoviq.
Ai theksoi se duke sulmuar institucionet më të ndjeshme shoqërore, Kurti po sulmon drejtpërdrejt edhe SHBA edhe BE, të cilat në disa raste kanë thënë qartë se çështja e institucioneve serbe mund të zgjidhet vetëm në kuadër të formimit të BKS-së, e jo me mbyllje të dhunshme dhe të njëanshme.
“Ne posaçërisht theksojmë se asnjë shfrytëzues i përfitimeve sociale nuk do të mbetet pa beneficionet që i paguan shteti i Serbisë dhe as të punësuarit në qendrat për punë sociale nuk do të mbeten pa të ardhurat e tyre. Përveç kësaj, ne do të ofrojmë çdo lloj asistence juridike dhe forma të tjera të mbështetjes për punonjësit e këtyre institucioneve”, ka përfunduar Petkoviq.
0 komentet